Autori i vrasjes së Elton Çiços mbrëmë në një lokal në Tiranë, dyshohet se është një ish- polic. Çiço ka qenë i armatosur, por nuk ka mundur ta përdorë pistoletën. Elton Çiço ka qenë i ulur në një lokal edhe me 3 persona të tjerë, kur është qëlluar për vdekje me dy plumba në kokë.
Ata ishin duke biseduar, ndërsa në lokal ka hyrë një person me një kapele sportive dhe me një pistoletë në dorë. Ai ka hyrë me nxitim dhe sapo është afruar tavolinës ku ka qenë ulur Çiço me 3 persona tjerë, ka qëlluar 2 herë ne drejtim të Çiços.
Në momentin kur është qëlluar, të katërt personat janë çuar nga tavolina përfshirë edhe Elton Çiçon. Por për shkak të plagëve të marra, Elton Çiço rrëzohet mbi tavolinë.
Elton Çiço u dërgua në spital nga personat që ishin prezentë. 35 vjeçari Çiço nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ndërron jetë në spital.
Elton Çiço dyshohet se ka qenë i armatosur, por nuk mundur ta përdorë pistoletën, pasi autori ka qëlluar menjëherë, raporton ABC News. Pasi ekzekutoi me armë 35 vjeçarin Çiço, vrasësi është larguar me vrap nga lokali.
Ai ka kaluar në disa rrugica të zonës së ish-Bllokut, dhe më pas dyshohet se është larguar me makinë. Burime nga grupi i hetimit thanë se Elton Çiço ishte përfshirë në një konflikt me personat që i grabitën shtëpinë në marsin e vitit të kaluar, në Tepelenë.
Grabitësit i kishin rrahur prindërit dhe më pas ishin arrestuar. Në atë kohë u shpallën të dyshuar për ngjarjen Robert Rama, i vrarë në qershorin e vitit të kaluar dhe Ervis Imeri.
Ky i fundit është shoqëruar nga policia për tu marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen. Ervis Imeri i shpëtoi një atentati me tritol, por vëllai i tij u plagos rëndë nga një atentat tjetër me tritol. Policia dyshon se viktima Elton Çiço u ekzekutua për shkak të hakmarrjes.