Një nga rastet e pakta të unitetit polici-prokurori-gjykatë është dosja “Ksera”. Prokuroria zhvilloi hetime për disa muaj. Nxori urdhrin e arrestit, i cili u ekzekutua me zell nga policia. Po ashtu, të tria shkallët e gjyqësorit nuk kanë pranuar mëshirën e ish-ministrit minoritar, duke e lënë në qeli.
Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet, duke i komunikuar Kserës edhe akuzën e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën. Bold News ka mësuar se grupi hetimor i ka bërë një vizitë në qeli Kserës, duke i komunikuar edhe përfundimin e hetimeve dhe njëkohësisht, për ti dhënë mundësi që të shprehet. Mësohet se Ksera ka “qepur” gojën, duke mos pranuar që të japë shpjegime. Edhe më parë, ai ka refuzuar prokurorinë, duke u shprehur se do të flasë para gjykatës së Tiranës, kur dhe do të përballet.
Herën e vetme që ka folur, ka qenë gjatë seancës për vlerësimin e masës së sigurisë në Gjykatën e Apelit. “Unë jam njeri i lirë, nuk kam rrezikshmëri shoqërore, ju e shikoni, kam qenë protagonist në 20 vitet e fundit. Kam diskriminim nga përkatësia. Nuk jam njeri i rrezikshëm, jam i hapur të hetohem, të gjykohem, por jo në burg”, tha Ksera në atë kohë.
Sipas prokurorisë, Ksera dhe të paktën tetë vartës të tij, kanë falsifikuar me qëllim vjedhjen, duke shpërdoruar detyrën. Ata kanë përpiluar dhjetëra dokumente për disa organizime fiktive, me qëllim zhvatjen e parave. Prokuroria e Tiranës ka zbardhur të paktën gjashtë episode, ndërsa thotë se materialet e KLSH-së apo edhe të Ministrisë së Punës, kanë qenë për dhjetëra të tjera. Ish-ministri Ksera, në cilësinë e kryetarit të Entit Prokurues, në bashkëpunim me ish-drejtorin e kabinetit, Kleves Bitro, si dhe me mbështetjen e disa zyrtarëve të tjerë, kanë vjedhur 30 milionë lekë të reja nga buxheti i shtetit.
“Këto shuma financiare, ish-drejtuesit e lartë të Ministrisë së Punës i kanë akorduar për disa aktivitete për shtresa të ndryshme sociale, por që faktikisht këto evente nuk janë realizuar ose janë realizuar me kosto shumë më të ulëta nga ato që janë shënuar në dokumente. Në bazë të veprimeve procedurale, rezulton se janë kryer pagesa për aktivitetet që nuk janë kryer”, thotë akuza qendrore.