Prokuroria e Korçës ka kërkuar 92 vjet burgim në total për grupin kriminal prej 10 persona që shpërndanin lëndë narkotike si kokainë, heroinë dhe cannabis në zonën e ish-Konviktit të qytetit të Korçës.
Ata akuzohen për veprën penale “Prodhimit dhe shitjes së lëndës narkotike”. Sipas hetimeve të prokurorisë rezulton se këta shtetas, në aktivitetin e tyre kriminal, orientonin blerësit e lëndës narkotike që ta konsumonin brenda ambjenteve të ish-konviktit, me qëllim mos-zbulimin e tyre nga ana e autoriteteve shtetërore.
Ja si zhvillohet aktiviteti i tyre kriminal i drogës:
Grupi kriminal i drogës kishin krijuar struktura “roje” në dy hyrjet kryesore të godinës së ish-Konviktit, me qëllim që të evidentonin dhe të shmangin ndonjë ndërhyrje eventuale të forcave policore.
Sipas planeve të grupit, nëse policia do të ndërhynte për kontroll nga njëra anë, ata do të mund të dilnin ose të fshihnin gjyrmët nga ana tjetër. Duke qenë se godina ishte e madhe, anëtarët e grupit kishin krijuar aksese të ndryshme për t’iu shmangur kontrolleve.
Procesi ndaj të pandehurve është zhvilluar me gjykim të shkurtuar dhe ata përfitojnë uljen me 1/3 e dënimit në rast se shpallen fajtorë.
Grupi kriminal i shpërndarësve të drogës në Korçë u arrestua nga Policia e Korçës në korrikun e vitit të kaluar.
Prokuroria e Korçës kërkon dënimin për të pandehurit, si më poshtë:
1. Bledjon Liçe të dënohet me 10 vjet burgim
2. Sajmir Liçe të dënohet me 10 vjet burgim
3. Elton Koçoli të dënohet me 12 vjet burgim
4. Gentian Koçoli të dënohet me 10 vjet burgim
5. Marius Koçoli të dënohet me 10 vjet burgim
6. Ronaldo Kovaçi të dënohet me 7 vjet burgim
7. Eraldi Zejnuni të dënohet me 9 vjet burgim
8. Mario Tepexhiku të dënohet me 7 vjet e 6 muaj burgim
9. Dorian Sako të dënohet me 8 vjet burgim
10. Marjus Lako të dënohet me 9 vjet burgim
Procedura penale
Sipas akteve të këtij procedimi penal rezulton se në bazë të informacioneve që kishte Drejtoria e Policisë së Qarkut Korçë, Sektori Kundër Narkotikëve, rezultonte se në vendin e quajtur “Ish-konvikti” të ndodhur në lagjen Nr.4 të qytetit të Korçës një grup shtetasish të cilët jetojnë në këtë ndërtesë në bashkëpunim me njeri-tjetrin shisnin lendë narkotike të llojeve të ndryshme. Për hetimin e gjithanshëm dhe objektiv të kësaj çështje, me qëllim identifikimin e personave që kanë kryer veprën penale, grumbullimin e provave dhe dokumentimin e autorësisë së veprës penale nga ana e Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor Korçë është autorizuar kryerja e veprimeve të posaçme hetimore.
Nga këto veprime proceduriale ka rezultuar se në godinën e quajtur “ish-konvikti” mbahej dhe shitej lëndë narkotike e llojeve të ndryshme, e cila shitej nga dy grupe personash të cilët vepronin të ndarë pasi shisnin lëndë narkotike në të dy hyrjet e kësaj godine, po dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin.
Në hyrjen kryesore të krahut jugor vepronte grupi i shtetasve Bledion Liçe (pseudonimi Bledi) dhe Sajmir Liçe me pseudoimin “Miri”, (vëllezër me njëri-tjetrin), të cilët ishin në rolin e organizatorëve dhe si bashkëpunëtorë të tyre ishin shtetasit Ronaldo Kovaçi (Trimi), Mario Tepexhiku (me pseudonimin Mario) dhe Eraldi Zejnuni me pseudonimin “Aldo”. Kurse në hyrjen tjetër kryesore në anën veriore të godinës vepronte grupi i shtetasve Elton Koçoli me pseudonimin “Taku”, Gentian Koçoli me pseudonimin “Kocka”, Marius Koçoli me pseudonimin “Skala” (vëllezër me njëri-tjetrin). Këta shtetas kishin si bashkëpunëtorë të tyre shtetasit Marius Lako me pseudonim “Malo” dhe Dorian Sako me pseudonimin “TR”.
Mënyra e shitjes se lendeve narkotike nga ana e këtyre shtetasve ishte e organizuar duke e mbajtur lenden narkotike në banesat e tyre ose në apartamente të pabanuara. Disa persona qëndronin poshtë godinës duke kontrolluar çdo person që futej në këtë godine dhe ne zonën përreth. Nëse një person kërkonte te blinte lende narkotike paguante paraprakisht leket për sasinë e lendes narkotike te cilën e merrte/konsumonte menjëherë ne prani te këtyre personave dhe brenda godinës dhe nuk e merrte me vete jashtë godinës. Këtë gjë duhet ta bënte në çdo rast që duhet të blinin lëndë narkotike nga këta shtetas. Nga ana e organit procedues pas vëzhgimit të kryer dhe konstatimit të faktit të shit-blerjes së lëndës narkotike nga ana e të pandehurve janë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Korçë shtetasit të cilët blinin lëndë narkotike te të pandehurit dhe janë pyetur me cilësinë e personit nën hetim dhe u janë marrë mostrat urinare të cilat janë dërguar për ekspertim toksikologjik-urinar pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore Tiranë. Në bazë të akteve të ekspertimit toksikologjik-urinar të të gjithë personave që janë parë të blinin lëndë narkotike nga të pandehurit kanë rezultuar se ishin përdorues të lëndëve narkotike të llojeve të ndryshme si cannabis sattiva, heroinë e kokainë.
Bazuar në hetimet paraprake, me kërkesë te organit te prokurorisë, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë me vendimin gjyqësor datë 23.07.2015, ka autorizuar kryerjen e kontrollit te apartamenteve te shtetasve Bledjon Liçe, Sajmir Liçe, Gentian Koçoli dhe Elton Koçoli, si dhe të banesave të tjera që përdoreshin nga këta shtetas.
Në zbatim të këtij vendimi gjyqësor nga ana e oficerëve të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Korçë, në datë 24.07.2015 rreth ores 12:00, është shkuar për kontroll në të njejtën kohë nga dy grupe të ndryshme punonjësish policie, në të dy hyrjet e godinës së ish-konviktit. Konkretisht është shkuar në banesen ku banon shtetasi Gjergji Liçe së bashku me djalin e tij Bledjon Liçe të ndodhur në katin e pestë të kësaj godine. Në momentin e kontrollit të kësaj banese ka qene prezent nëna e shtetasit Gjergji Lice, shtetasja Ganime Liçi dhe shtetasia Greta Liçe. Nga kontrolli i kesaj banese jane gjetur 3(tre) tre vazo qelqi brenda së cilave kishte bimë të dyshuar narkotike “Cannabis Sattiva” si dhe dy qese plasmasi brenda së cilave kishte një sasi materiali pluhur e dyshuar si lendë narkotike heroinë, një peshore e vogel elektronike me mbishkrimin “Diamond” model 500, me peshë maksimale 500 gram, si dhe një qese tjetër brenda së cilës kishte qese të vogla plasmasi farmaceutike.
Në bazë të procesverbalit të peshimit të provës materiale ka rezultuar se në banesën e shtetasit Gjergji Lice është gjetur lëndë narotike me peshë të përgjithëshme me gjithë amballazh rezultoi 3 (tre) kg e 278.6 (dyqind e shtatëdhjetë e tetë) gram lëndë narkotike e dyshuar si kanabis sativa.
Nga grupi tjeter është shkuar për kontroll në hyrjen tjetër të kësaj godine, dhe konkretisht është ushtruar kontroll në një dhomë të pabanuar në katin e pesë të godinës, e cila përdorej si magazinë dhe që ishte në përdorim nga familja Koçoli. Në këtë ambjent nga kontrolli jane gjetur nje qese plasmasi brenda se ciles kishte nje material ne gjendje te ngurte e dyshuar si lende narkotike heroine, tre fragmente copa qesesh te mbeshtjella me njera tjetren brenda se cilave kishte një sasi lënde në gjendje të ngurtë me ngjyrë të bardhë e dyshuar si lënde narkotike e llojit kokainë, një kuti cilindrike material metalik me ngjyrë të bardhë dhe të kuqe, , si dhe nje peshore e vogel elektronike peshore elektronike e vogel me ngjyrë blu të errët, me mbishkrim “Diamond” model 500, me peshë max 500 g.
Në bazë të procesverbalit të peshimit të provës materiale ka rezultuar se në banesën e shtetasit Marius Koçoli është gjetur lëndë narkotike me peshe të pergjitheshme me gjithë ambalazh 63.4 (gjashtëdhjetë e tre pikë katër) gram lende narkotike e dyshuar heroine, dhe rreth 10.6 (dhjetë pikë gjashtë) gram lëndë narkotike e dyshuar të llojit kokainë.
Në të dy këto ambjente të kontrolluara është bërë këqyrja e vendit të ngjarjes dhe të gjitha sendet e gjetura dhe që lidheshin me veprën penale janë sekuestruar me cilësinë e provës materiale dhe janë dërguar për ekspertim daktiloskopik dhe bio-kimik. Kurse shtetasit Bledjon Liçe, Sajmir Liçe, Gentian Koçoli, Marius dhe Elton Koçoli janë arrestuar në flagrancë dhe ndaj tyre është caktuar masë sigurimi personal me karakter shtrëngues. Gjatë kryerjes së veprimeve hetimore nga organi procedues është caktuar masë sigurimi dhe për shtetasit Eraldi Zejnuni dhe Ronaldo Kovaçi, kurse personat e tjerë bashkëpunëtorë në këtë vepër penale janë hetuar në gjendje të lirë.
Nga procesverbalet e paraqitjes për njohje dhe nga deklarimet e dhëna me cilësinë e personit që tregon rrethana mbi hetimit të shtetasve përdorues të lëndës narkotike të cilët janë konstatuar nga vëzhgimet dhe përgjimi i fshehtë në vende publike ka rezultuar se këta shtetas kanë deklaruar se ata kanë blerë në mënyrë të vazhdueshme, në mënyrë të përsëritur dhe për një kohë të gjatë lëndë narkotike të llojeve të ndryshme te të pandehurit Bledjan Liçe, Sajmir Liçe, Elton Koçoli, Gentian Koçoli, Marius Koçoli, Ronaldo Kovaçi, Mario Tepexhiku, Eraldi Zejnuni, Dorian Sako dhe Marjus Lako, të cilat kanë vepruar në bashkëpunim me njëri-tjetrin në kryerjen e këtij aktiviteti kriminal. Vetë disa nga këta shtetas në deklarimet e tyre me cilësinë e personit nën hetim dhe të pandehurit kanë pranuar faktin se kanë kryer mbajtjen dhe shit-blerjen e lëndës narkotike në vendin e quajtur “Ish-konvikti” të ndodhur në lagjen Nr.4 të qytetit të Korçës ku kanë vepruar në bashkëpunim me njëri-tjetrin në kryerjen e kësaj vepre penale.