Ish-kryeministri Sali Berisha është përjashtuar me 10 ditë nga veprimtaria parlamentare pas thirrjes publike që bëri për armatosjen e popullit për të garantuar sigurinë e tyre.
I ftuar në “Studio e Hapur”, Berisha bëri ironi duke thënë se u ndje i nderuar nga ky vendim, që sipas tij vjen në “kohën e shullazëve” që sipas tij do të thotë “krim i organizuar në shkallën më të lartë”.
Deputeti demokrat tha se ky vendim i Byrosë së Kuvendit ishte një hakmarrje e mazhorancës ndaj deklaratës së tij se Emiljano Shullazit ka kërcënuar kandidatin për rektor të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, aktualisht i zgjedhur pas votimeve të 20 prillit.
“U ndjeva shumë i nderuar, pasi këtë kohë e karakterizon koha e shullazëve. Për aq sa mediat flasin e paraqesin, për aq sa komentohet e transmetohet, kjo është koha e shullazëve qeveritarë. E kam fjalën për kohën e krimit të organizuar në shkallën më të lartë. Në dy netët e fundit tritol, vjedhje me maska, arrestimin të biznesmenit në mënyrë më mafioze, e kam fjalën për zotin Neranxi, që organizonte një panair. Kjo është koha e shullazëve. Shullazi kryesor është Rama, Tahiri. Atë që i bënë Neranxit është rrëmbim. Gjetën rastin për ta kapur, ai kishte një panair që ishte një ngjarje jo vetëm për biznesin e tij, por për të gjithë sektorin e atij lloj biznesi. Është një njeri që ka qenë deputet”, tha Berisha.
Berisha tha se Shullazi para disa muajsh nxori nga komisariati nipin e tij dhe rrahu edhe policin që e kishte arrestuar.