Gazeta Rilindja Demokratike, ka publikuar një document ku tregohet se i shumëpërfoluri Emiljano Shullazi i ka marrë shtetit shqiptar 4 milionë lekë të vjetra, pasi ka qëndruar rreth 6 muaj në qeli pa asnjë shkak.
Sipas një dokumenti të publikuar nga gazeta “RD” i cili është një vendim i Gjykatës Administrative i 15 dhjetorit 2014 që i njeh Shullazit të drejtën e dëmshpërblimit për kohën e ndenjur në qeli pas një arrestimi në nëntorin e vitit 2011 për veprën penale të prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit dhe “Moskallëzim të krimit”. Pas një serie vendimesh, ka ardhur edhe padia e fundit e Shullazit ku kërkon dëmshpërblim për ditët e qëndrimit në burg.
Në shkrimin e gazetës thuhet se vendimi nuk apeluar nga Ministria e Financave.
Vendimi që nuk u ankimua
“Pranimin e pjesshëm të padisë së paditësit Emiljano Shullazi.
Detyrimin e palës së paditur Ministria e Financave dhe Dega e Thesarit Tiranë t’i paguajnë paditësit Emiljano Shullazi, kompensimin për burgim të padrejtë në vlerën 404.800 (katërqind e katër mijë e tetëqind) lekë për 184 ditë paraburgim në vlerën 2.200 lekë për një ditë.
Rrëzimin e padisë për diferencën që i përket kompensimit në vlerën maksimale për periudhën e paraburgimit prej 184 ditësh, prej 800 lekë të tjera për një ditë.
Ekzekutimi i këtij vendimi duhet të bëhet nga subjekti i paditur jo më vonë sesa një muaj nga marrja e vendimit formë të prerë dhe paraqitja e kërkesës për ekzekutim nga kreditori, në një këst të vetëm për pagimin e të gjithë shumës, ndërsa ekzekutimi i detyrueshëm do të bëhet nga përmbaruesi gjyqësor.
Shpenzimet gjyqësore dhe ato në fazë e ekzekutimit të vendimit u ngarkohen palëve në raport me pjesën e pranuar të padisë.
Kundër vendimit mund të bëhet ankim në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë, brenda 15 ditëve nga e nesërmja e shpalljes. Për personin e tretë në mungesë, ky afat fillon nga e nesërmja e njoftimit të vendimit.
U shpall në Tiranë, sot më datë 15.12.2014
Sekretare
Geralda Bakiasi
Gjyqtare
Elda Vrioni”.