Deputetët Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi, vijojnë të këmbëngulin për transparencë lidhur me referendumin për mandatin e kryetarit të PS, Edi Rama. Sot ata i janë drejtuar me një letër Asamblesë së PS, ku shtrojnë një sërë kërkesash që fillojnë me kopjen e listës së zgjedhësve dhe përfundojnë me tabelën e rezultateve.
PROJEKT-REZOLUTË E ASAMBLESË KOMBËTARE PS
Nisur nga parimi se demokracia e brendshme në Parti është kusht politik, organizativ dhe moral i ekzistencës dhe i zhvillimit të saj;
Nisur nga parimi se Partia garanton dhe mbron për të gjithë anëtarët e saj lirinë e shprehjes së mendimeve, pikëpamjeve dhe platformave që synojnë zbatimin dhe përmirësimin e Programit dhe të Statutit;
Nisur nga parimi se liria e zgjedhjes dhe votimi i fshehtë janë individuale dhe të garantuara.
Nisur nga parimi se të zgjedhurit në organet drejtuese të partisë detyrohen të tërheqin dhe të parashtrojnë mendimin e zgjedhësve të tyre, përfshirë dhe mendimin ndryshe.
Nisur nga parimi se organet drejtuese të Partisë detyrohen të shqyrtojnë dhe t’i japin përgjigje anëtarit të partisë për çdo propozim ose ankesë që ai parashtron, brenda një muaji.
Nisur nga parimi se të zgjedhurit në organet drejtuese të Partisë kanë të drejtë të shfrytëzojnë materialet e nevojshme dokumentare;
Nisur nga tradita e Partisë Socialiste për mbrojtjen e votës në të gjitha proceset e votimit, brenda apo jashtë saj, edhe përmes protestave dhe grevave;
Nisur nga kërkesa që i është drejtuar Komisionit të Garancive Statutore të PS për shkelje në procedurat që paraprinë zhvillimin e referendumit të 9 Prillit 2016;
Nisur nga fakti që alternativës referendare nuk iu lejua të vëzhgonte procesin;
Nisur nga një serë shkeljesh flagrante në zhvillimin e referendumit, të dëshmuara nga shumë anëtarë të partisë si dhe nga media;
Nisur nga denoncimet që anëtarë të kësaj Asambleje kanë bërë në Komisionin Zgjedhor të Partisë për shkelje në procedurat e zhvillimit të referendumit të 9 Prillit 2016
Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste,
Nxit Komisionin Zgjedhor të Partisë, që t’i njohë të drejtën çdo anëtari të interesuar të PS:
1. Të ketë në dispozicion një kopje e listës së zgjedhësve të përgatitur nga KZP, mbi bazën e të cilës u zhvillua referendumi i datës 09.04.2016.
2. T’i jepen në dispozicion kopjet e listave të pjesëmarrësve në procesin e votimit për çdo vendvotimi të ngritur, me nënshkrimin e secilit përbri, në referendumin e datës 09.04.2016.
3. T’i vihet në dispozicion kopja e procesverbaleve të hartuara nga çdo Komision i Vendvotimit dhe i Numërimit të Votave për nxjerrjen e rezultatit për çdo vendvotimi të ngritur në referendumin e datës 09.04.2016.
4. T’i garantohet një kopje e tabelës së rezultateve të hartuara nga KZP dhe e procesverbalit të KZP për shpalljen e rezultatit të referendumit mbajtur më datë 09.04.2016
Datë 23.04.2016
Propozuesit
Mimoza Hafizi
Ben Blushi