Ditën e sotme zhvillohet gjyqi për Emiliano Shullazin, Gilmando Danin dhe Blerim Shullazin.
Mësohet se Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar në gjykatë caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” ndaj tre personave të ndaluar me akuzat e gjobëvënies.
“Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dorëzuar në gjykatë kërkesën për caktimin e masës së sigurisë ndaj tre shtetasve të ndaluar më datë 17.04.2016, në orën 01:30, Emiljano Shullazi, 38 vjeç, Gilmando Dani, 38 vjeç, banues në Tiranë dhe Blerim Shullazi, 32 vjeç, banues në Krujë. Sipas Prokurorisë, mësohet se masa e sigurisë është kërkuar për veprën penale të “shkatërrimit të pronës me eksploziv”, ndaj shtetasit Jani Zaka (Arjan Zika), me qëllim kanosjen e tij për fitimin e pasurisë në mënyrë të padrejtë. Seanca e caktimit të masës së sigurisë mësohet se do të mbahet ditën e sotme në Gjykatën e Krimeve të Rënda.
Në kërkesën e Prokurorisë mësohet se janë renditur katër çështje në hetim. Më konkretisht, në kërkesën drejtuar gjykatës, Prokuroria përmend gjobëvënien ndaj shtetasit Jani Zaka, duke pretenduar se ndaj tij, veç kanosjes e presioneve për dhënien e pasurisë, është vendosur edhe lëndë plasëse.
Ndërkaq, Prokuroria përmend edhe një rast tjetër të referuar nga Shërbimi Informativ në Prokurorinë e Durrësit për përfshirjen e Emiljano Shullazit në pronësinë e ishhotel “Vollgës”. Kjo dosje, siç e shpjegon Prokuroria, është transferuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ku ka vazhduar hetimi. Nga ana tjetër, në kërkesën e Prokurorisë përmendet një rast i një gjobëvënieje të dyshuar, pa kallëzim, në vlerën e 650 mijë eurove ndaj një familjeje me mbiemrin Kodra në Durrës. Rasti i katërt që pretendon Prokuroria lidhet me pretendimet për kanosje dhe gjobëvënie ndaj një biznesmeni me aktivitet ndërtimi në zonën e Farkës. Sipas Prokurorisë, akuzat ndaj Emiljano Shullazit, Gilmando Danit dhe Blerim Shullazit, janë: “shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, “shkatërrim i pronës me eksploziv”, “prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “grup i strukturuar kriminal”. Nga ana tjetër, avokati i Shullazit e ka cilësuar arrestimin e paligjshëm. Alban Qafa, avokat i Shullazit, ka deklaruar se do kërkojë pavlefshmërinë e arrestimit të Shullazit, pasi ndaj tij nuk ka kallëzim, por janë përdorur informacione të marra në rrugë operative. “Do të kërkojmë pavlefshmërinë e arrestimit të Shullazit. Ndaj Emiljano Shullazit nuk ka kallëzim, janë përdorur informacione të marra në rrugë operative”, pohoi Qafa. Ai ka folur edhe për akuzat e ishkryeministrit Sali Berisha për lidhjet e të ndaluarit me biznesmenë që kanë marrë “Vollgën” dhe bregdetin e Durrësit. Qafa ka thënë se Shullazi ka 30% të “Vollgës” dhe e ka marrë me kontratë dhurimi. Avokati shton se Shullazi dhe miku i tij Gilmando Dani nuk kanë lidhje me shpërthimin te garazhi i biznesmenit Arjan Zaka. “Klienti im nuk i njeh biznesmenët për të cilët akuzohet. Emiljano Shullazi ka vetëm 30% të ‘Vollgës’. 30% të ‘Vollgës’ e mori me kontratë dhurimi. S’ka asnjë provë kundër Shullazit e dy të tjerëve”, ka thënë avokati.