Ndërtuesit apo individët që duan të rikonstruktojnë banesat e tyre do të kenë mundësi të aplikojnë online për të marrë lejen e ndërtimit. Qeveria ka miratuar një vendim, i cili i hap rrugën ngritjes së Sistemit Elektronik të Lejeve.
Ky sistem është baza e të dhënave shtetërore për të gjitha kërkesat dhe lejet, sipas legjislacionit të planifikimit dhe zhvillimit të territorit.
“Sistemi elektronik i lejeve do të jetë pjesë e Regjistrit të Integruar të Territorit, dhe realizon ndërveprimin e të gjitha subjekteve të përfshira në proces, duke përfshirë aplikuesin, autoritetet përgjegjëse për dhënien e lejeve dhe institucionet publike që kanë detyrimin ligjor të japin informacion apo pëlqim lidhur me kërkesën për leje,” thuhet në vendimin e qeverisë.
Si do aplikohet
Çdo subjekt, i cili kërkon të pajiset me leje apo të paraqesë deklaratë paraprake për kryerje punimesh, është i detyruar të dorëzojë aplikimin për leje dhe dokumentacionin shoqërues nëpërmjet sistemit elektronik të lejeve.
Vendimi i qeverisë ngarkon autoritetet përgjegjëse, që duhet të japin informacion apo mendim lidhur me kërkesën për leje ndërtimi, me detyrimin që të pranojnë, shqyrtojnë, miratojnë dhe dorëzojnë aktet e miratimit në mënyrë elektronike, nëpërmjet sistemit elektronik të lejeve.
Sipas vendimit, sistemi elektronik i lejeve do të jetë pika e vetme, nëpërmjet të cilit paraqitet elektronikisht, kërkesa për leje. Njëkohësisht nëpërmjet këtij sistemi realizohet procesi i bashkërendimit ndërinstitucional, gjatë procedurës së shqyrtimit të kërkesës për lejen.
Nëpërmjet aplikimit në sistemin elektronik të lejeve, kërkuesi konsiderohet se ka dhënë autorizimin e nevojshëm që autoriteti përgjegjës të veprojë në emër dhe për llogari të tij, për paraqitjen e çdo kërkese apo aplikimi pranë institucioneve publike.