Pas ngjarjes së ndodhur para Kuvendit ditën e djeshme gjatë protestës dhe deklaratave të kryeministrit Edi Rama për File Bulkun dhe djalin e saj me spektër autik, Endin, shumë qytetarë janë solidarizuar me familjen, ndërsa është hapur një GoFundme për t’i ardhur në ndihmë. Deri më tani janë mbledhur 150 mijë dollare.

File Bulku ka deklaruar se ditën e incidentit nuk ishte pjesë e protestës, por po kthehej pasi kishte dërguar të birin në terapi. Sipas saj, rrugët ishin të bllokuara dhe gjatë kthimit u prek nga uji me piper i përdorur nga policia.
Ajo hodhi poshtë pretendimet e kryeministrit se ishte përdorur si “mburojë” gjatë protestës dhe i bëri thirrje Edi Ramës të përballet publikisht me të.
Rama e quajti ‘hipokrit’ solidaritetin e protestuesve dhe i akuzoi ata se e kishin marrë tek Parlamenti “për ta abuzuar atë nënë, bashkë me fëmijën, me të njëjtin manual që përdorin edhe terroristët, kur abuzojnë gratë dhe fëmijët, duke i përdorur si mburojë, teksa sulmonin me maska Policinë e Shtetit”
Pas kësaj ngjarjeje, organizata jofitimprurëse Brandon Forever 22 Legacy ka nisur një fushatë humanitare për të mbështetur File Bulkun dhe djalin e saj.
Sipas organizatorëve, familja jeton në kushte të vështira dhe banesa e tyre paraqet rrezik për jetën e tyre. Fushata synon të mbledhë 85 mijë dollarë, të cilat do të përdoren për rikonstruksionin e banesës dhe për sigurimin e trajtimit dhe kujdesit të nevojshëm për djalin me spektër autik.
Në thirrjen e publikuar, organizata u bën apel qytetarëve të kontribuojnë sipas mundësive, duke theksuar se çdo ndihmë do të shërbejë për t’i garantuar familjes një jetë më të sigurt dhe kushte më të mira jetese.














