Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka vendosur që seanca konstituive e Kuvendit të ri të dalë nga zgjedhjet e qershorit të mbahet më 6 gusht, duke nisur nga ora 10:00.
Vendimi vjen pak para skadimit të afatit kushtetues, i cili përfundon më 7 gusht, ndërsa partitë politike vijojnë përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje për krijimin e institucioneve të reja.
Haxhiu u bëri thirrje subjekteve parlamentare që të vijojnë dialogun, duke e cilësuar atë si një përgjegjësi demokratike.
“Deri atëherë mbetet detyrim politik dhe institucional i subjekteve parlamentare që të vazhdojnë dialogun. Dialogun mes tyre askush nuk duhet ta shohë si shenjë dobësie, por si dëshmi e përgjegjësisë demokratike”, deklaroi ajo.
Sipas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, nga dita e konstituimit të Kuvendit nis edhe afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit të ri. Nëse brenda këtij afati nuk arrihet zgjedhja e kreut të shtetit, Kuvendi shpërndahet dhe Kosova shkon në zgjedhje të reja.
Ngërçi politik vijon për shkak të mungesës së një marrëveshjeje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe partive të tjera. Bisedimet mes LVV-së dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës janë pezulluar pasi kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se ishte i detyruar të ndërpriste diskutimet për shkak të një nisme të brendshme për shkarkimin e tij nga drejtimi i partisë.
Në zgjedhjet e fundit, LVV-ja e Albin Kurtit siguroi 53 mandate, PDK-ja 22, LDK-ja 18 dhe Aleanca 7 ulëse. Për formimin e qeverisë dhe konstituimin e Kuvendit nevojiten 61 vota nga 120 deputetë.













