Erion Veliaj, ka mbërritur mëngjesin e sotëm në Gjykatën Administrative, ku do të zhvillohet seanca e radhës për padinë e ngritur prej tij ndaj prokurorit të SPAK, Ols Dado.
I shoqëruar nga efektivët e Policisë së Burgjeve, Veliaj u pa duke hyrë në ambientet e gjykatës, ndërsa në dorë mbante edhe këtë herë një libër.
Seanca, e cila është caktuar të nisë në orën 09:00, lidhet me kërkesën e kryebashkiakut për anulimin e dekretit që emëroi Ols Dadon në detyrën e prokurorit.
Veliaj kundërshton ligjshmërinë e këtij dekreti, ndërsa çështja po shqyrtohet nga Gjykata Administrative.
Procesi ishte planifikuar të zhvillohej më 3 korrik, por u shty për shkak të mungesës së avokatit Plarent Ndreca.
Edhe në atë seancë, Veliaj ishte i pranishëm dhe kërkoi të lexonte një deklaratë para trupit gjykues, por kërkesa e tij nuk u pranua nga gjyqtari.
Më pas, deklarata u shpërnda për mediat, ku Veliaj argumentonte se Gjykata Kushtetuese kishte arritur në përfundimin se nuk ishte provuar ekzistenca e elementëve që do të krijonin dyshimin për kryerjen e një vepre penale.
Seanca e sotme pritet të përcaktojë hapat e mëtejshëm të procesit gjyqësor mes kryebashkiakut të Tiranës dhe prokurorit të SPAK, Ols Dado.














