Protesta e 54-t qytetare para Kuvendit të Shqipërisë u shoqërua me tensione të forta, përplasje me Policinë e Shtetit, përdorim të gazit lotsjellës, ujit me piper dhe autobotëve me ujë, ndërsa nuk munguan edhe hedhja e vezëve, dhe bidonëve drejt efektivëve dhe automjeteve zyrtare.
Qytetarët u mblodhën që në orët e para të mëngjesit para godinës së Kuvendit, në të njëjtën ditë kur zhvillohej seanca e fundit plenare e këtij sesioni parlamentar.
Me pankarta në duar dhe thirrje si “Parlamenti i krimit”, “Rama, jep dorëheqjen” dhe “Nuk na përfaqësoni!”, protestuesit marshuan drejt Parlamentit, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e klasës së vjetër politike.

Përpara nisjes së protestës, Policia e Shtetit kishte marrë masa të shtuara sigurie, duke rrethuar të gjithë perimetrin e Kuvendit me gardhe metalike dhe forca të shumta policore. Në kryqëzimin pranë Xhamisë së Namazgjasë u lejua kalimi vetëm i deputetëve, ndërsa qytetarëve iu ndalua hyrja drejt Parlamentit. Në terren u vendosën edhe efektivë të FNSH-së dhe disa automjete të kësaj force.

Bllokimi i hyrjeve solli edhe momentet e para të tensionit. Disa qytetarë debatuan me efektivët e policisë, pasi nuk u lejuan të kalonin drejt zonës ku po zhvillohej protesta.
Pak më vonë situata u përshkallëzua. Protestuesit hoqën gardhin metalik të vendosur para Kuvendit dhe tentuan të çanin perimetrin e sigurisë për t’iu afruar hyrjes së Parlamentit.
Pas përplasjes së parë me policinë, një pjesë e protestuesve u zhvendosën drejt kryqëzimit të Unazës, në afërsi të Rrugës së Elbasanit, ku tentuan të bllokonin qarkullimin, pasi nuk u lejuan të afroheshin pranë godinës së Kuvendit. Protestuesit larguan dy gardhe metalike, ndërsa policia ngriti një tjetër barrierë sigurie për të penguar avancimin e tyre.

Në përpjekje për të shpërndarë turmën, Policia e Shtetit përdori autobotët me ujë, spraj me piper dhe gaz lotsjellës. Përdorimi i mjeteve për shpërndarjen e protestuesve solli reagimin e tyre, të cilët hodhën vezë, domate dhe bidonë me ujë në drejtim të efektivëve të policisë.
Siç mund të shihet dhe në pamjet e mbërritura në redaksinë e Boldnews.al, qytetarët janë goditur me ujë me piper në fytyrë duke ju shkaktuar probleme me frymëmarrjes.
Disa prej tyre janë transportuar drejt ambulancës për ndihmën e shpejtë mjekësore.
Po ashtu një incident tjetër i rëndë është regjistruar në protestë, ku një i ri, që në kokë ka dhe një flamur kuq e zi është parë i mbuluar në gjak dhe është transportuar me urgjencë drejt ambulancës për të marrë ndihmën mjekësore.
Në momentin që është nxjerrë nga turma, i riu u ka bërë thirrje protestuesve që të mos tërhiqen, duke përcjellë mesazhin: “Mos u dorëzoni!”.

Revolta e qytetarëve u përshkallëzuar me mbërritjen e deputetëve në Kuvend. Në hyrje të godinës protestuesit goditën me vezë një automjet zyrtar që i përkiste deputetes së Partisë Socialiste, Iris Luarasi.
Ndërkohë, nga ambjentet e Kuvendit, Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kërkoi vetëshpërndarjen e Parlamentit, duke deklaruar se, sipas tij, ky ishte “i vetmi vendim i drejtë që mund të marrë sot Kuvendi”.
“Kërkojmë vetëshpërndarjen dhe shkrirjen e Kuvendit. Ky është i vetmi vendim i drejtë që mund të marrë sot Kuvendi,” u shpreh Berisha.
Kjo është protesta e 54 qytetare kundër qeverisë së Ramës dhe kastës së vjetër politike. Qytetarët kanë paralajmëruar se mobilizimi do të vazhdojë deri në largimin e Ramës dhe plotësimin e kërkesave të tyre.














