Ish-Presidenti i vendit, Bamir Topi, po jep dëshminë e tij në GJKKO, në kuadër të procesit gjyqësor për dosjen “Partizani”.
Gjatë dëshmisë së tij, Topi u shpreh se Plani i Përhapjes së Forcave të Armatosura ishte pjesë e një procesi reformimi të ushtrisë shqiptare në kuadër të përgatitjeve për anëtarësimin në NATO.
Sipas ish-Presidentit, ky proces ishte i natyrës politike dhe teknike, i drejtuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, ndërsa dokumentacioni i shkonte Presidentit vetëm në fazën përfundimtare për mbylljen juridike të procedurave.
“Që nga momenti që një strukturë ushtarake dilte nga Plani i Përhapjes, ajo nuk ishte më në varësi të drejtpërdrejtë të Presidentit”, deklaroi Topi.
Duke folur për komunikimet me ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Vladimir Qiriazi, Topi tha se kishte kërkuar verifikimin e çështjes nga strukturat përkatëse dhe se ishte informuar se ajo nuk lidhej me kompetencat e Presidentit, pasi ishte në juridiksionin e institucioneve qeveritare.
Lidhur me privatizimin e kompleksit “Partizani”, ish-kreu i shtetit deklaroi se nuk ka pasur asnjë rol në këtë proces, duke theksuar se çështja ishte jashtë juridiksionit të Presidencës.
“Me procedurën e privatizimit kam dëgjuar si të gjithë. Ishte jashtë juridiksionit të Presidencës”, u shpreh Topi.
Ai u pyet gjithashtu për dekretin e vitit 2009 për shkarkimin e gjeneral Vladimir Qiriazit, por tha se nuk i kujtohen detajet e propozimeve konkrete dhe se ato, sipas tij, kanë ardhur nga Shtabi i Përgjithshëm.














