Ish-presidenti i vendit, Bamir Topi, është paraqitur mëngjesin e kësaj të hëne në Gjykatën e Posaçme.
Ai është thirrur në cilësinë e dëshmitarit në procesin gjyqësor “Partizani”, ku të pandehur janë kryedemokrati Sali Berisha dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, Xhimi Begeja, Fatmir Bektashi dhe Andia Pustina.
Përveç tij, këtë të hënë janë thirrur për të dhënë dëshmi edhe Fatmir Mediu, Urim Muja, Isa Tare dhe Paro Laçi.
Në çështjen “Partizani”, Sali Berisha akuzohet për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë, pasi SPAK pretendon se gjatë periudhës kur ishte kryeministër, ai favorizoi dhëndrin e tij Jamarbër Malltezin në përfitimin e pronës, duke i hapur rrugë përfitimeve të parregullta në vlerë prej 5.4 milionë eurosh nga një biznes ndërtimi.
Jamarbër Malltezi e Fatmir Bektashi akuzohen për korrupsion e pastrim parash, ndërsa dy të pandehurit e tjerë vetëm për pastrim parash.
Kryetari i Partisë Demokratike dhe dhëndri i tij janë nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe përgjatë hetimit kanë mohuar akuzat. Ndërsa biznesmeni Fatmir Bektashi është hetuar nën masën detyrim paraqitje. Xhimi Begeja e Andia Pustina janë hetuar në gjendje të lirë.














