Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një sipërfaqe pyjore në zonën e Iballës, në Bashkinë Fushë-Arrëz, mbi lagjen Gere, duke rrezikuar një pjesë të konsiderueshme të ekonomisë pyjore.
Terreni i vështirë malor ka bërë të pamundur ndërhyrjen të forcave zjarrfikëse të Fushë-Arrëzit, të cilat janë stacionuar në qendër të Njësisë Administrative.
Për shkak të përmasave të zjarrit, që është përhapur në një sipërfaqe të gjerë të ekonomisë pyjore Iballe-Mëzi, autoritetet kanë kërkuar ndërhyrjen e Forcave të Armatosura me helikopter.
Siç raportohet, helikopteri po operon për të mbajtur nën kontroll perimetrin e zjarrit dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve.
Sipas informacioneve paraprake, vatra e zjarrit ka nisur në një zonë me shkurre, ndërsa dyshimet e para të autoriteteve janë se bëhet fjalë për zjarrvënie të qëllimshme.














