Argjentina është finalistja e dytë e Kupës së Botës 2026, pasi mposhti Anglinë me rezultatin 2-1 në një gjysmëfinale spektakolare të zhvilluar mbrëmjen e kësaj të mërkure në Atlanta.
Ndeshja nisi më mirë për anglezët, të cilët kaluan në avantazh me Anthony Gordon, por reagimi i kampionëve në fuqi ishte i menjëhershëm. Fillimisht Enzo Fernandez riktheu baraspeshën, ndërsa në minutat vendimtare Lautaro Martinez përmbysi gjithçka, duke shfrytëzuar një asist fantastik të Lionel Messit.
Pavarësisht përpjekjeve të Anglisë në minutat e fundit, skuadra e Lionel Scalonit administroi me qetësi epërsinë dhe siguroi një fitore të madhe, që e çon për herë të dytë radhazi në finalen e Kupës së Botës.
Në finalen e madhe, që do të zhvillohet më 19 korrik në Nju Jork, Argjentina do të përballet me Spanjën, e cila eliminoi Francën në gjysmëfinalen tjetër. Ndërkohë, Anglia do të luajë ndaj Francës në ndeshjen për vendin e tretë.
Tashmë e gjithë vëmendja zhvendoset te supersfida Spanjë–Argjentinë, një finale që premton spektakël dhe do të vendosë kampionen e re të botës.













