Dy persona janë arrestuar dhe katër të tjerë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë, pas zbulimit të tre rasteve të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit në Tiranë.
Sipas Policisë, gjatë kontrolleve të ushtruara në tre ambiente u sekuestruan tre makineta për lojëra fati, një tavolinë pokeri, çipsa, letra bixhozi dhe pesë telefona celularë që dyshohet se përdoreshin për organizimin e kësaj veprimtarie.
Në rastin e parë, specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan në flagrancë 22-vjeçarin me inicialet G. Zh., ndërsa shpallën në kërkim M. Zh., 50 vjeç, dhe A. Zh., 25 vjeç. Ata dyshohet se organizonin lojëra fati në një ambient të marrë me qira në rrugën “Aleks Çaçi”, ku u gjetën dy makineta, një tavolinë pokeri, çipsa dhe letra bixhozi.
Në një tjetër rast, specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 5 arrestuan në flagrancë 39-vjeçarin G. S. (J.), pasi në lokalin që administronte me qira në Bathore u gjetën një makinetë dhe një telefon celular që dyshohet se përdoreshin për organizimin e lojërave të fatit.
Ndërkohë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kibernetike referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedim penal ndaj katër shtetasve me inicialet S. G., 21 vjeç, O. C., 19 vjeç, R. H., 27 vjeç dhe F. D., 67 vjeç. Gjatë kontrollit në një lokal në rrugën “Irfan Tomini”, secilit prej tyre iu gjet një telefon celular që dyshohet se përdorej për organizimin e basteve sportive.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.













