Prokuroria e Fierit ka mbyllur hetimet për 38-vjeçarin Milasim Ramaj, të cilit iu gjet bazë kriminale në Fier me arsenal armësh me automatikë dhe mjete luftarake me silenciator.
Prokuroria dërgon në gjyq Milasim Ramaj, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Nga hetimet mbi procedimin penal nr.1586, të vitit 2025, rezultoi se, i pandehuri, gjatë kohës që ishte në drejtimin e automjetit mbante 1 armë zjarri tip pistoletë, së bashku me 50 fishekë.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe kontrolleve të ushtruara në ambiente të përdorura prej tij, u sekuestruan po ashtu 12 armë të tjera zjarri, përkatësisht 10 automatikë model 56, 1 armë automatike e tipit “Skorpion” dhe 1 pistoletë, të gjitha në gjendje funksionale sipas ekspertimit teknik-balistik.
Gjithashtu, janë sekuestruan 465 fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, 14 krehëra armësh për automatikë, pushkë dhe pistoleta, si dhe 2 pajisje për zbutjen e zhurmës së armëve (“silenciatorë”).
Në bazë të akteve të ekspertimit teknik-balistik, të gjitha armët dhe municionet e sekuestruara rezultuan në gjendje të rregullt teknike dhe të afta për qitje. Hetimet evidentuan gjithashtu të dhëna që krijojnë dyshime se një pjesë e armëve mbahej me qëllim shitjen e tyre në mënyrë të paligjshme, faktet këto që janë objekt hetimi në një procedim penal të ndarë.














