Koncerti i reperit amerikan Kanye West në Shqipëri u promovua nga Edi Rama dhe përfaqësues të qeverisë si një ngjarje me rëndësi ndërkombëtare, që do të sillte vizitorë të huaj dhe përfitime për ekonominë shqiptare.
Megjithatë, që në momentin e shpalljes së koncertit, u ngritën pikëpyetje mbi mënyrën e organizimit dhe burimet e financimit të tij.
Në deklaratat e para publike, qeveria këmbënguli se organizimi i koncertit nuk do të financohej nga buxheti i shtetit. Zyra e Kryeministrit deklaroi se eventi ishte një nismë private, ndërsa ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, më 1 maj u shpreh se “asnjë fond i shtetit shqiptar nuk shkon për organizimin e eventit, skenën dhe gjithë logjistikën e koncertit”, duke sqaruar se mbështetja e institucioneve do të kufizohej vetëm në aspektin organizativ dhe të sigurisë.
Asnjë fond i shtetit shqiptar nuk shkon për organizimin e eventit, skenën dhe gjithë logjistikën e koncertit. Mbështetja jonë është në kapacitete njerëzore, për pjesën jashtë dhe të mbarëvajtjes së eventit”, shprehej Gonxhja.
Por ky qëndrim ndryshoi disa muaj më vonë.
Më 6 korrik, Këshilli i Ministrave miratoi Aktin Normativ nr. 3, të firmosur nga Kryeministri Edi Rama, me titull “Për financimin e pjesshëm të organizimit të një aktiviteti kulturor-turistik me përmasa ndërkombëtare”.
Me këtë akt u autorizua përdorimi i 400 milionë lekëve nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, të transferuara në buxhetin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, për t’u vënë në dispozicion të kompanisë organizatore të eventit.

Vetë Edi Rama deklaroi një ditë më parë se kjo ndërhyrje financiare ishte sipas tij e domosdoshme për të mos dëmtuar imazhin e Shqipërisë. Siç thotë ai, u vunë në dispozicion 4 milionë euro “në minutën e fundit”, për të shmangur dështimin e koncertit.
“4 MILIONË EURO në minutën e fundit, për të mos turpëruar Shqipërinë, në sytë e afro 25 mijë të huajve nga 80 shtete që gjermësot kanë blerë me kohë biletat për Kanye West; për të mos humbur një mundësi fantastike promovimi të Shqipërisë Turistike, për një nga komunitetet më të mëdha të botës, dashamirët e muzikës; për të stimuluar ekonominë…”,- shprehej Rama.
Megjithatë, vendimi shkaktoi reagime të forta, pasi bie në kontrast me deklaratat e mëparshme se koncerti nuk do të financohej me para publike, aq më tepër nga fondi i emergjencës.
Ndërkohë vlen të theksohet se ky investim i hequr nga fondi i emergjencës, mund të përdorej fare mirë për menaxhimin e zjarreve, të cilat verën e kaluar dogjën pothuajse mijëra hektarë tokë, bimësi, banesa dhe bagëti por edhe këtë vit rreziku nga zjarret vijon të jetë i lartë duke qënë se tempraturat shënojnë rreth 40 gradë celcius. Mbetet për tu parë se si do ta menaxhojë qeveria situatën, e cila heq miliona euro nga taksapaguesit shqiptarë, për një koncert që nuk ju sjell asnjë benefit.














