Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve ka kërkuar që gjykatësi Astrit Kalaja, që u vra në krye të detyrës në sallën e gjyqit në tetor të vitit 2025, të shpallet “Dëshmor i Atdheut”.
Në një deklaratë, duke evidentuar vendimin e Këshillit Bashkiak të Shkodrës që i dha gjyqtarit të ndjerë statusin e “Dëshmorit të Atdheut”, Shoqata ka kërkuar që ky vendim të njihet dhe përshpejtohet edhe nga institucionet e tjera.
Sipas gjyqtarëve, njohja e Kalasë si “Dëshmor i Atdheut” është një trajtim i denjë dhe ligjor për një shtetar të vrarë në krye të detyrës.
“Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve kërkon dhe inkurajon edhe institucionet e tjera kompetente që të përmbyllin në një kohë sa më të shpejtë procesin e njohjes dhe dhënies së statusit të “Dëshmorit të Atdheut” për gjyqtarin Z. Astrit Kalaja, me bindjen se ky është trajtimi i denjë dhe ligjor i cilitdo shtetar që vritet në krye të detyrës.”, thuhet në deklaratën e Shoqatës.
Gjyqtari i Apelit, Astrit Kalaja u vra më 6 tetor 2025 në sallën e gjyqit. Autori Elvis Shkambi qëlloi për vdekje gjyqtarin me armë zjarri gjatë gjyqit lidhur me një konflikt pronësie që përfshinte familjen e tij.














