Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, deklaroi se Shqipëria ka qenë në qendër të diskutimeve në Asamblenë Politike të Partisë Popullore Evropiane (PPE), ku u prezantua raporti i misionit faktmbledhës për situatën në vend.
Sipas Vokshit, raporti ngre shqetësime për procesin zgjedhor, përdorimin e burimeve shtetërore gjatë fushatës, ndikimin e krimit të organizuar, pastrimin e parave dhe nivelin e korrupsionit.
Ajo tha se dokumenti përmend edhe rastin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke iu referuar të dhënave të Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si dhe çështjen e Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit.
“Në datat 29-30 qershor u mbajt Asambleja Politike e Partisë Popullore Evropiane, që është një nga forumet më të rëndësishme të Partisë Popullore Evropiane. Unë mund të them që Shqipëria në fakt mbizotëroi axhendën e kësaj asambleje politike. Situata në Shqipëri, ashtu siç i vinte anëtarëve të PPE-së, ishte shumë shqetësuese. Mund të themi që kishim shtatë rezoluta, dy prej të cilave të miratuara nga Partia Popullore Evropiane dhe të tjera të miratuara nga CDI-ja, nga IDU-ja, të cilat janë forume politike të spektrit të qendrës së djathtë.
Po ashtu, raporte të shumta, të gjitha raportet ndërkombëtare për sa i përket zgjedhjeve, dhe këtu mund të them raporti final i ODIHR-it apo Instituti V-Dem për demokraci, për sa i përket zgjedhjeve të zhvilluara në 14 maj të 2023-shit, të cilat shprehnin një shqetësim shumë të madh për mënyrën se si u zhvilluan zgjedhjet në Shqipëri.
Po ashtu në raportin e PPE-së shfaqin jo vetëm shqetësimin për ndikimin e krimit në jetën ekonomike, në jetën politike, në jetën sociale të Shqipërisë, shqetësimin për pastrimin e parave të krimit të organizuar dhe të trafikut të drogës.
Shqipëria tashmë me bekimin dhe me ndihmën dhe mbështetjen e Edi Ramës dhe qeverisjes së tij, është shndërruar në një parajsë fiskale. Është në një parajsë për pastrimin e parave… Ekzakt. Ky nuk është shqetësim i Shqipërisë tashmë, sepse paratë të cilat pastrohen në Shqipëri janë paratë e krimit të organizuar ndërkombëtar, të karteleve të drogës, të trafikut të drogës, të cilat vijnë në Shqipëri me mbështetjen e Edi Ramës.
Po ashtu, një vend të veçantë në këtë raport i kushtohet nivelit të lartë të korrupsionit, që bazohet në raportin e fundit të Transparency International, i cili dëshmon se korrupsioni ka rënie drastike me 11 pikë vetëm në një vit.
Dhe ky raport për herë të parë përmend rastin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Dhe sigurisht duke u bazuar në fakte konkrete, jo në denoncimet e opozitës, por në fakte konkrete, të bazuara në raportin e SPAK-ut dërguar në parlament, tregon që akuzat për Belinda Ballukun për abuzim me tenderat, për ndërhyrje në tendera, mund të shkojnë deri në 35 vjet burgim”,- tha Vokshi në Syri TV.














