Nga Boldnews.al
“Kemi shumë zona të mbrojtura, të cilat na pengojnë zhvillimin ekonomik”. Nën këtë argument, 15 kryebashkiakë socialistë iu drejtuan bashkë-partiakëve të tyre në Parlament, duke i kërkuar që të ndryshonin ligjin e vitit 2017 “Për zonat e mbrojtura”.
Kjo letër, e administruar në Kuvend në fund të vitit 2023, i kaloi për trajtim deputetit Fadil Nasufi, i cili më herët kishte mbajtur postin e kryetarit të Bashkisë së Beratit. Së bashku me një grup tjetër deputetësh të krahut të tij politik, ai e ktheu atë që konsiderohej si shqetësim i pushtetit lokal, në një iniciativë ligjvënëse.
Në relacionin që Nasufi i drejtonte kryetares së Parlamentit të asaj kohe, Lindita Nikolla, relatori sugjeronte amendimin e ligjit “Për zonat e mbrojtura”.
Sipas tij, kryebashkiakët iniciatorë “ngrenë shqetësimin dhe kërkojnë marrjen në konsideratë të ndryshimit të kuadrit ligjor të zonave të mbrojtura, pasi është një ligj i ngurtë, shumë konservator dhe praktikisht i pazbatueshëm në disa elemente të tij dhe që e privon qeverisjen vendore në mundësinë e administrimit të zonave të mbrojtura për zhvillimin e qëndrueshëm të tyre, për përfitimin nga komuniteti lokal të kësaj pasurie dhe për aksesin që duhet të ketë pushteti vendor mbi zonat e mbrojtura”.

Sipas kryebashkiakëve të shqetësuar, ligji i vitit 2017 parashikonte zona të mbrojtura në një sasi të konsiderueshme dhe kjo ishte kthyer në problem.
“Republika e Shqipërisë, me shpalljet dhe vendimet e marra ndër vite, ka 21,4% të territorit të saj “zonë të mbrojtur”, ku përfshihen 12 parqe kombëtare, 718 monumente të natyrës, 23 rezerva të natyrës të menaxhuara, 11 peizazhe të mbrojtura, 14 vende të trashëgimisë botërore e të tjera. Ne gjykojmë se Shqipëria nuk e ka luksin që të tkurret në pamundësitë e zhvillimit, duke mos e shfrytëzuar 21,4% ose gati 1/5-ën e sipërfaqes së përgjithshme të saj me politika ndalimi ose bllokimi, duke i konceptuar zonat e mbrojtura si ishuj të izoluar, ku të mungojë marrëdhënia dhe përfitueshmëria e komunitetit dhe e turistëve mbi to…”, shprehnin shqetësimin e tyre kryebashkiakët në letrë drejtuar Parlamentit.
Një vend si Shqipëria, e cila aspiron për integrimin në Bashkimin Europian, sasia e madhe e zonave të mbrojtura u konsiderua problem, ndërkohë që kriteret për anëtarësimin në Union janë shumë të rrepta sa i përket mbrojtjes së natyrës.
Maxhoranca socialiste në Parlament i kaloi shumë shpejt ndryshimet në ligjin “Për zonat e mbrojtura”, duke arritur në pikës që sot, për më shumë se 3 javë, mijëra qytetarë janë ngritur në protesta masive për të penguar betonizimin e perlave natyrore të Shqipërisë.
Natyrisht, askush nuk e beson që amendimi i ligjit “Për zonat e mbrojtura” është vullnet i kryebashkiakëve. Ajo iniciativë duket qartë se është porosi e kreut të qeverisë, Edi Rama, i cili ka përdorur fytyrat e 15 kryebashkiakëve për të realizuar qëllimin e tij.
Firmosësit e letrës
Në dokumentat e Parlamentit, të konsultuar nga “Boldneës.al”, janë renditur edhe kryetarët e bashkive që kanë iniciuar procedurën për ndryshimin e ligjit “Për zonat e mbrojtura”. Disa prej tyre drejtojnë bashki, të cilat nuk shquhen aspak për mbrojtjen e mjedisit.
Llatja i Elbasanit
Në krye të kryebashkiakëve të shqetësuar për sasinë e madhe të sipërfaqeve të mbrojtura në Shqipëri është Gledjan Llatja i Elbasanit.

Ai nuk shquhet si zyrtar që kujdeset për natyrën. Qyteti që ai drejton prej tre vitesh, përbën një nga njollat më të errëta të ndotjes në Shqipëri.
Beci i Shkodrës
Benet Beci, kryetar i Bashkisë së Shkodrës, është ndër të paktët që nuk duket se ka arsye të qenësishme që të kërkojë zvogëlimin e zonave të mbrojtura.

Shkodra, ndër qytetet e pakta që ka të ndërthurur detin, liqenin, lumin, malin e Alpet, ka nevojë thjesht për menaxhim më të mirë të resurseve aktuale që ka.
Pjerini i Lezhës
Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, gjithashtu është në listën e drejtuesve lokalë të shqetësuar për hapësirën e madhe të zonave të mbrojtura.

Ai menaxhon një ndër perlat e turizmit shqiptar në Veri të Shqipërisë, por që ka dështuar gjatë tre mandateve të tij në krye të Lezhës me pastrimin dhe dezinfektimin e bregdetit në territorin e tij. Për këtë janë dëshmitarë mijëra turistë, sidomos ata nga Kosova, të cilët duhet të shtyjnë pushimet në Shëngjin, mes mbeturinave dhe kolonive pa fund të insekteve.
Dredha i Vlorës
Ermal Dredha u zgjodh për herë të parë kryetar i Bashkisë së Vlorës në zgjedhjet e vitit 2023. Vetëm pak muaj pasi mori detyrën, ai iu bashkua kolegëve të tjerë socialistë për t’u ankuar mbi hapësirën e madhe që zënë “zonat e mbrojtura”.

Në zonën e tij territoriale gjendet zona e mbrojtur “Nartë-Pishë Poro”, e cila shërbeu si shkëndijë për nisjen e protestave qytetare në Tiranë, por edhe në qytete të tjera jashtë Shqipërisë.
Jorgo i Himarës
Jorgo Goro iu bashkua kërkesës së kolegëve të tij kryebashkiakë për zvogëlimin e zonave të mbrojtura, si një shërbim i fundit ndaj kryeministrit Edi Rama, vetëm pak javë para arrestimit të tij për abuzime me pronat në Himarë.

Goro ndante të njëjtin qëndrim me 14 kryebashkiakët e tjerë se ligji i vitit 2017 për zonat e mbrojtura ishte shumë strikt dhe ai duhej bërë më fleksibël, duke i hapur rrugë ndërtimeve.
Sotiraqi i Korçës
Edhe Sotiraq Filo, kryetar i Bashkisë së Korçës, iu bashkua korit të drejtuesve të tjerë lokalë, që ankoheshin se zonat e mbrojtura po i prishnin avenirin pushtetit lokal.

Për Filon dhe të tjerët, ligji ‘Për zonat e mbrojtura” i vitit 2017, duhej ndryshuar “me synim që të vendoset një ekuilibër midis zonave të mbrojtura dhe nevojës që ka komuniteti dhe pushteti vendor për zhvillimin e agroturizimit, për zhvillimin e aktiviteteve të lejuara në zonat e mbrojtura”.
Disha i Librazhdit
Lsitës së kryebashkiakëve të shqetësuar iu bashkua edhe Mariglen Disha, i cili, në fund të vitit 2023, ishte në fillimet e mandatit të tij të parë në krye të Librazhdit.

Inxhinier ndërtimi me profesion, Disha duket se mbrojtja e mjedisit nuk hyn në prioritetet e tij.
Salla, nga Cërriku, në ministri
Andis Salla u zgjodh për herë të parë kryetar i Bashkisë së Cërrikut në zgjedhjet e vitit 2023. Kur kishte vetëm pak muaj në detyrë, ai nënshkroi letrën drejtuar Parlamentit, ku kërkohej amendimi i ligjit “Për zonat e mbrojtura”.

Ligji u miratua në vitin 2024, ndërkohë që Salla dha dorëheqjen nga drejtimi i Cërrikut, pasi kryeministri Edi Rama i dorëzoi portofolin e Ministrit të Bujqësisë, pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025.
Subashi i Fierit
Natyrisht, nuk mund të mungonte në këtë listë kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi.

Zyrtari që përbetohet për mbrojtjen e mjedisit, por që drejton një ndër qytetet me problemet më të mëdha me mbeturinat në Shqipëri, Subashi ishte ndër ata që kërkonin zvogëlimin e zonave të mbrojtura.
Sako e Durrësit
Emirjana Sako, drejtuese e Bashkisë së Durrësit, ka më shumë se një arsye që t’i bindet çdo kërkese të kryeministrit Edi Rama, siç ishte edhe ajo për zvogëlimin e zonave të mbrojtura”.

E emëruar si kryebashkiake në mënyrë surprizë, Sako ka pasur mbështetjen e pakufijshme të Ramës, pasi edhe ajo i është bindur pa asnjë kusht e vërejtje politikës së dështuar të kryeministrit për menaxhimin e mbetjeve.
Flamuri i Gjirokastrës
Kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi, i është bashkuar gjithashtu kërkesës së vitit 2023 për uljen e sipërfaqeve të zonave të mbrojtura.

Emri i tij në listën me 15 drejtuesve lokalë duket më shumë si një tentativë për të zgjeruar hartën e “shqetësimit”.
Alma e Përmetit
Alma Hoxha, kryebashkiakja e Përmetit, është në mandatin e saj të tretë në krye të administratës lokale.

Përmeti e ka humbur prej kohësh epitetin romantik ‘qyteti i luleve”. Megjithatë, kryebashkiakja Hoxha vendosi firmën në letrën, ku kërkohej zvogëlimi i zonave të mbrojtura.
Tonini i Malësisë së Madhe
Kryetari i Bashkisë së Malësisë së Madhe, Tonin Marina, i cili ka ndërtuar një pasuri të madhe me një kompani ndërtimi, natyrisht nuk mund të mungonte në listën e drejtuesve lokalë, të cilët kërkonin nga Parlamenti zvogëlimin e zonave të mbrojtura.

Një kryebashkiak-ndërtues përbën rastin më tipik të lobimit për rritjen e sipërfaqes së betonin në dëm të natyrës së virgjër.
Agroni i Burrelit
Agron Malaj, kryetari i Bashkisë së Burrelit në vitin 2023, as nuk vihet në diskutim që do të zbatonte çdo dëshirë të kryeministrit Edi Rama.

Ai iu bashkua listën me 15 kryebashkiakëve, të cilët u ankuan për hapësirën e madhe që zënë “zonat e mbrojtura” në Shqipëri. Tashmë, Agron Malaj është deputet i Partisë Socialiste, i dalë nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.
Çaçi i Sarandës
Ndryshimet në ligjin ‘Për zonat e mbrojtura”, i hapën rrugën sektorit të hotelerisë për të betonizuar disa prej perlave natyrore shqiptare.

Kryetarri i Bashkisë së Sarandës, Oltion Çaçi, më hetrët një dejtues hotelesh, ishte ndër ata drejtues lokalë që u ankua për hapësirën e madhe që zënë zonat e mbrojtura.














