Të tjera ankesa janë dërguar pak para afatit të fundit kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve në Kosovë.
Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu ka konfirmuar për Euronews Albania se e ka dorëzuar ankesën e tij në Gjykatën Supreme, pak pas mesditës. Haxhiu pretendon se ka pasur parregulli në numërimin e votave të kandidatëve të partisë së tij, dhe kërkon rinumërim. Pretendimi i tij është hedhur poshtë disa herë.
Edhe Lista Serbe ka dërguar ankesë në Gjykatën Supreme. Sipas kësaj partie, në vendimin e vet PZAP nuk e mohon se Nenad Rashiq është zgjedhur deputet me votat e shqiptarëve.
“Çështja kryesore që ia kemi paraqitur Panelit Zgjedhor, e tani ia paraqesim edhe Gjykatës Supreme, është nëse në këtë mënyrë është cenuar e drejta kushtetuese e popullit serb për përfaqësim autentik, duke pasur parasysh se vendet e rezervuara janë kategori kushtetuese pikërisht për mbrojtjen e kësaj të drejte”, thuhet në njoftimin ë kësaj partie.
Kjo është hera e fundit që palët mund të ankohen për rezultatin e zgjedhjeve. Nëse Supremja i hedh poshtë ankesat, KQZ-ja javën tjetër do të certifikojë rezultatet duke hapur rrugën për betimin e deputetëve dhe krijimin e Legjislaturës s XI-të të Kuvendit të Kosovës.














