Uashingtoni njoftoi sonte se nuk do ta rinovojë marrëveshjen e tregtisë së lirë me Kanadanë dhe Meksikën (USMCA), por do të vazhdojë të negociojë me dy partnerët e saj për ta përmirësuar atë.
Sipas mediave të huaja marrëveshja, të cilën Donald Trump e nënshkroi gjatë mandatit të tij të parë, parashikonte që të tre vendet mund ta rinovonin atë jo më vonë se sot, duke e zgjatur kështu për 16 vjet. Meqë SHBA-të refuzojnë ta bëjnë këtë, ajo do të zgjatet nga viti në vit, përveç nëse njëri prej të tre vendeve njofton zyrtarisht se po tërhiqet prej saj. Njoftimi i SHBA-së erdhi pas një videokonference midis zyrtarëve nga të tre vendet, e cila nuk dha fryt.
“Shtetet e Bashkuara nuk kanë rënë dakord të rinovojnë USMCA-në në formën e saj aktuale. Prandaj, ajo nuk po rinovohet”, tha Përfaqësuesi i Tregtisë i Shtëpisë së Bardhë Jamieson Greer, i cili kishte qenë përgjegjës për negociatat.
Një zyrtar i administratës Trump tha se USMCA nuk e uli mjaftueshëm deficitin tregtar të SHBA-së me dy vendet fqinje.
“Qeveria amerikane nuk është e interesuar të zgjasë negociatat me Meksikën dhe Kanadanë dhe ne duhet të bëjmë diçka sa më shpejt të jetë e mundur”, shtoi ai.
Megjithatë, Greer tha në deklaratën e tij se Uashingtoni synon të vazhdojë bisedimet me të dy vendet dhe marrëveshja siç është do të vazhdojë të zbatohet derisa problemet të zgjidhen ose në fund të afatit të saj, pas 10 vitesh.
Më herët këtë muaj, Trump kishte thënë se nuk kishte ndërmend ta rinovonte marrëveshjen në formën e saj aktuale. Një raund i ri bisedimesh është planifikuar me Meksikën për 20 korrik, por nuk ka një orar për negociatat me Kanadanë. Ministri kanadez i Tregtisë, Dominic LeBlanc, tha sot se të tre vendet ranë dakord të vazhdojnë bisedimet dhe përsëriti se Ottaëa mbështet marrëveshjen.
Të martën, presidentja meksikane Claudia Sheinbaum tha se po priste vendimin e SHBA-së, por ajo dhe Kanadaja kishin nënshkruar tashmë për të rinovuar marrëveshjen për 16 vjet të tjera. Kanadaja dhe Meksika janë dy nga partnerët kryesorë tregtarë të Shteteve të Bashkuara, por ato ishin gjithashtu objektivat e para të tarifave të vendosura nga Donald Trump kur ai u kthye në Shtëpinë e Bardhë në janar 2025.














