Një rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike në plazhe dhe zona të ndryshme të Durrësit është goditur nga Policia e Shtetit.
Si rezultat i këtij aksioni u arrestuan në flagrancë dy shtetas, të dyshuar për shitje të lëndëve narkotike në bashkëpunim.
Në pranga ranë Detar Rama, 33 vjeç, dhe Kadri Xhani, 27 vjeç, të dy banues në Durrës. Operacioni u zhvillua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.
Të dy të dyshuarit u kapën në flagrancë në fshatin Rrashbull.
Sipas policisë, ata vepronin në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke shitur lëndë narkotike të llojit kokainë dhe cannabis sativa në zona të ndryshme të qytetit, përfshirë edhe plazhet.
Gjatë kontrollit fizik dhe kontrolleve të ushtruara në banesat e tyre, policia sekuestroi mbi 100 doza të ndara për shitje të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe cannabis sativa.
Po ashtu u sekuestrua një shumë parash, e dyshuar si e përfituar nga aktiviteti kriminal, dy armë të ftohta – një shkop bejsbolli dhe një thikë – si dhe tre telefona celularë.














