Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale duke u shprehur se kryeministri Edi Rama ka nisur një fushatë përndjekjeje ndaj qytetarëve që protestojnë.
Sipas Tabakut, prej ditësh kryeministri “mbledh biografi, kërkon njolla në jetën e tyre, sulmon familjarët dhe i ekspozon publikisht si tabela qitjeje”, duke e cilësuar këtë si një praktikë që shkon përtej arrogancës personale.
Ajo thekson se kjo, sipas saj, është “metoda e një shteti të kapur që përdor të dhënat dhe institucionet për të mbrojtur njeriun-sistem”, ndërsa sjell në vëmendje raste të mëparshme të arrestimeve dhe hetimeve ndaj zyrtarëve të lartë, për të cilat kryeministri “nuk ka reaguar”.
Tabaku shton se për korrupsionin ka heshtje, ndërsa për protestuesit ka “biografi, kërcënime dhe linçim publik”, duke e cilësuar situatën si rikthim të “skenarëve të njollave të murrme”.

POSTIMI I PLOTE
Prej ditësh, Kryeministri ka nisur një fushatë përndjekjeje ndaj qytetarëve që protestojnë.
Mbledh biografi, kërkon “njolla” në jetën e tyre, sulmon familjarë dhe i ekspozon publikisht si tabela qitjeje në faqen e tij.
Kjo nuk është thjesht arrogancë personale.
Është metoda e një shteti të kapur, që përdor të dhënat dhe institucionet për të mbrojtur njeriun-sistem.
Kur ish-zëvendëskryeministri u shpall në kërkim, nuk dinte gjë.
Kur u arrestuan ministra dhe kryetarë bashkish, përsëri nuk dinte gjë.
Për korrupsionin, heshtje.
Për protestuesit, biografi, kërcënime dhe linçim publik.
Sot maska ka rënë.
Kryeministri po rikthen skenarin e “Njollave të Murrme”: përndjekje dhe turpërim publik ndaj kujtdo që guxon të ngrejë zërin.
Por protestuesit nuk janë armiqtë e Shqipërisë.
Ata janë qytetarët që kërkojnë dinjitet, drejtësi dhe një shtet që punon për shumicën.
Fletërrufetë digjitale dhe dazibao-t moderne nuk do ta shpëtojnë sistemin.
Ato vetëm tregojnë frikën e njeriut që e ndërtoi dhe që sot e kupton se shqiptarët nuk kanë më frikë prej tij.














