Një nga momentet më prekëse pas tërmeteve vdekjeprurëse që goditën Venezuelën ndodhi në Carabayeda, ku një djalë 11-vjeçar u nxor i gjallë nga rrënojat, 3 ditë pas katastrofës.
Fëmija, i quajtur Moises, u gjet i bllokuar nën rrënoja dhe u shpëtua pas një operacioni të gjatë nga punonjësit e shpëtimit. Në një video të publikuar nga presidentja e përkohshme e Venezuelës, Delcy Rodriguez, ekipet e shpëtimit shihen duke e mbajtur 11-vjeçarin në barelë pas makthit që jetoi për më shumë se 70 orë.
“Pak minuta më parë, një djalë 11-vjeçar u shpëtua në Carabayeda. Në këtë moment, çdo jetë është një burim shprese për Venezuelën”, – shkroi Rodriguez në një postim në X.
Në operacionin e shpëtimit u përfshinë edhe anëtarë të ekipit të specializuar USAR Colombia 1, si dhe zjarrfikës nga Bogotá e Kolumbisë, të cilët kanë udhëtuar për në Venezuelë për të ndihmuar.
Operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë pa ndërprerje në zonat e prekura nga tërmetet vdekjeprurëse, me autoritetet që shprehin shpresën se, pavarësisht ditëve që kalojnë, është ende e mundur të gjenden të mbijetuar nën rrënoja.
Sipas të dhënave të fundit të autoriteteve, të paktën 1,430 persona kanë vdekur dhe 3,238 janë plagosur nga tërmetet e fuqishme me magnitudë 7.2 dhe 7.5 ballë, që goditën Venezuelën brenda pak sekondash nga njëri-tjetri të mërkurën.
Frika është se numri i viktimave do të rritet në mënyrë dramatike, pasi fati i më shumë se 50,000 njerëzve është i panjohur. Dëmet e shkaktuara nga tërmeti i dyfishtë janë ekuivalente me afërsisht 6% të PBB-së së vendit ose në afërsisht 7 miliardë dollarë.














