Kryetari i Gjykatës së Lartë ka shpallur zyrtarisht thirrjen për paraqitjen e shprehjes së interesit për plotësimin e tre vendeve vakante në Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ), pasi më 12 dhjetor 2026 përfundon mandati pesëvjeçar i tre anëtarëve të këtij institucioni.
Vendet që do të plotësohen i përkasin një gjyqtari nga Gjykatat e Shkallës së Parë, një gjyqtari nga Gjykatat e Apelit dhe një gjyqtari nga Gjykata e Lartë.
Sipas njoftimit publik gjyqtarët e interesuar duhet të paraqesin kërkesën me shkrim pranë Kryetarit të Gjykatës së Lartë brenda datës 13 korrik 2026.
Kandidatët duhet të dorëzojnë, së bashku me shprehjen e interesit, një sërë dokumentesh, mes të cilave: jetëshkrimin e përditësuar, deklaratat mbështetëse të gjyqtarëve, formularin e vetëdeklarimit, platformën personale me objektivat që synojnë të ndjekin si anëtarë të KLGJ-së, si dhe deklarata për verifikimin e figurës, integritetit dhe mungesën e bashkëpunimit me ish-shërbimet sekrete.
Gjithashtu, kandidatët duhet të paraqesin informacion mbi të afërmit që ushtrojnë profesionin e avokatit ose kanë pozicione drejtuese në subjekte të mëdha ekonomike, si dhe listën e personave të lidhur, në zbatim të legjislacionit për parandalimin e konfliktit të interesit.














