Ndërsa NATO po hyn në fazën përfundimtare të përgatitjeve për samitin e 7-8 korrikut në Ankara, atmosfera mes liderëve europianë dhe Donald Trump mbetet e tensionuar. Lufta kundër Iranit ka nxjerrë në sipërfaqe përplasjet mes Uashingtonit dhe kryeqyteteve evropiane, pasi shumica e vendeve anëtare refuzuan t’i bashkoheshin operacionit ushtarak amerikan. Trump nuk e ka fshehur zemërimin e tij. “Ne nuk kemi nevojë për paratë e tyre. Dua vetëm besnikëri”, deklaroi ai këtë javë në Shtëpinë e Bardhë, duke akuzuar aleatët se e kishin lënë SHBA-në vetëm.
Pikërisht për të zbutur këto tensione, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, udhëtoi në Uashington ku zhvilloi një takim me Trump. Në një përpjekje të kujdesshme për të shmangur një krizë të re transatlantike, Rutte theksoi se “në përgjithësi aleatët evropianë kanë qenë në krahun e SHBA-së”, ndërsa i paraqiti presidentit amerikan shifrat e rritjes rekord të shpenzimeve ushtarake në Evropë.
Por ndërsa samiti i Ankarasë afrohet, një raportim i Euronews ngre pikëpyetje serioze mbi atë që u konsiderua një nga ngjarjet më të rëndësishme të dekadave të fundit për Shqipërine: organizimin e samitit të NATO-s në Tiranë në vitin 2027.
Sipas Euronews, “deklarata përfundimtare që pritet të miratohet në fund të samitit të korrikut nuk përmban ende një angazhim për zhvillimin e një samiti tjetër në vitin 2027”.
Media europiane citon burime sipas të cilave zyrtarë të NATO-s, përfshirë edhe vetë Mark Rutte-n, po rishqyrtojnë të ardhmen e samiteve vjetore të aleancës, në përpjekje për të shmangur përplasjet publike me administratën gjithnjë e më agresive të Trump.
Në këtë kontekst, Shqipëria mund të jetë një nga viktimat e para të klimës së re politike brenda NATO-s. Euronews raporton se vendi ynë, i cili është planifikuar të presë samitin e vitit 2027, rrezikon të humbasë organizimin nëse nuk demonstron progres të qartë në arritjen e objektivit të aleancës për shpenzimet e mbrojtjes.
“Shqipëria është planifikuar të presë samitin e NATO-s në vitin 2027, por burimet thonë se ky organizim mund të zhvendoset nëse vendi nuk tregon përparim në tejkalimin e pragut prej 2 për qind të PBB-së për shpenzimet e mbrojtjes”, shkruan Euronews.
Sinjali është domethënës. Për herë të parë, organizimi i një samiti të NATO-s konsiderohet si një test politik dhe financiar për vendin pritës. Në kushtet kur Trump po kërkon me ngulm që aleatët të paguajnë më shumë për mbrojtjen dhe po kërcënon hapur vendet që, sipas tij, nuk mbajnë barrën e tyre, drejtuesit e NATO-s duket se nuk duan t’i ofrojnë presidentit amerikan një tjetër arsye për konflikt publik gjatë një samiti të nivelit të lartë.
Edhe pse Euronews përmend Shqipërinë, ajo nuk është e vetmja që ka mbetur pas objektivave të aleancës. Citohet gjithashtu Spanja, Italia dhe Çekia si vende që konsiderohen të vonuar në rritjen e buxheteve ushtarake, ndërsa Belgjika vetëm së fundmi ka arritur pragun minimal prej 2 për qind të PBB-së.
Për Tiranën, organizimi i samitit të NATO-s do të ishte ngjarja më e rëndësishme diplomatike e zhvilluar ndonjëherë në vend. Rreth një vit më parë, kryeministri Rama e quajti historik vendimin për të sjellë liderët e NATO-s në Shqipëri.
“Ne duhet të përmbushin siç duhet të gjitha pritshmëritë që janë nga ana e Shqipërisë, dhe t’i tejkalojmë ato duke e shfrytëzuar ketë moment që Shqipëria mund të shkëlqejë botërisht”, shprehej Rama.
Por raportimi i Euronews tregon se asgjë nuk konsiderohet më e garantuar. Dhe nëse objektivat e mbrojtjes mbeten të papërmbushura, samiti që duhej të sillte liderët e aleancës në Shqipëri mund të përfundojë në një kryeqytet tjetër si shuplaka e radhës që Ramës i vjen nga perëndimi./ Lapsi.al













