Inspektorati i Lartë i Drejtësisë i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për fillimin e procedimit disiplinor ndaj anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Olger Eminaj.
Kërkesa, e dorëzuar më 18 qershor, pason dyshimet se Eminaj ka kryer veprime të papërshtatshme, duke përfshirë dërgimin e fotove intime dhe bisedave erotike ndaj një denoncueseje gjatë orarit zyrtar.
Çështja është riregjistruar në Gjykatën Kushtetuese dhe si relatore për shqyrtimin e saj është caktuar gjyqtarja Marjana Semini. Përveç komunikimeve të dyshimta, ndaj tij rëndon akuza se këto veprime janë kryer brenda ambienteve të institucionit të drejtësisë.














