Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar sërish pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama në një intervistë për “Financial Times”, duke iu referuar publikimit të librit “The Albanian Files”.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Këlliçi pretendon se libri nxjerr në pah qindra projekte zhvillimi që, sipas tij, janë hartuar pa transparencë dhe pa u konsultuar me qytetarët apo komunitetet lokale.
Sipas deputetit demokrat, bëhet fjalë për mbi 500 plane biznesi që përfshijnë resorte turistike dhe kulla në zona të ndryshme të vendit, nga Saranda deri në Velipojë, si dhe në zonën e liqenit të Pogradecit.
Këlliçi akuzon kryeministrin se po e trajton Shqipërinë si “pronë private”, duke favorizuar, sipas tij, interesa të ngushta ekonomike dhe oligarkë të afërt me qeverinë.
“Janë më shumë se 500 plane biznesi që publiku nuk i njeh, por që kanë nisur ose pritet të marrin jetë në të ardhmen. Të gjitha këto projekte janë realizuar pa asnjë konsultim me qytetarët dhe komunitetin”, shprehet ai.
Në reagimin e tij, Këlliçi e lidh publikimin e librit me debatin e fundit mbi projektet strategjike të zhvillimit në vend, duke argumentuar se dokumentet e publikuara hedhin dritë mbi mënyrën se si janë konceptuar dhe promovuar këto investime.
Deputeti demokrat shton se pakënaqësia qytetare ndaj këtyre projekteve po reflektohet edhe në protestat e fundit, të cilat, sipas tij, po zhvillohen kundër korrupsionit dhe mungesës së transparencës në vendimmarrje.
Reagimi i Këlliçit
Doni më shumë për Kumbarin?!!!
Një libër i plotë me projektet që ka Edi Rama për resorte e kulla në gjithë bregdetin dhe në vende të tjera si në liqenin e Pogradecit, është bërë publik pikërisht ditën kur kreu i organizatës tha një një intervistë për “Financial Times”, se nuk është ai Kumbari i Shqipërisë!
Një ditë më parë, unë e denoncova këtë aferë.
Janë më shumë se 500 plane biznesi që publiku nuk i di, që qytetarët nuk e kanë idenë, por që kanë nisur dhe që pritet të marrin jetë në vazhdim.
Resorte luksoze dhe kulla nga Saranda në Velipojë dhe në liqenin e Pogradecit.
Të gjitha projekte personale të Edi Ramës dhe miqve e oligarkëve të tij, pa asnjë konsultim apo komunikim me publikun dhe komunitetin.
A doni më shumë prova për Kumbarin se sa kjo?!
A nuk është kjo ta trajtosh Shqipërinë si plaçkë, si kopshtin personal, ku ndan troje, brigje, laguna, kodra, male, dete e liqene sipas interesit personal?
Cili mafioz, cili Kumbar ka arritur në këto nivele?!
Pazaret e Edi Ramës kanë dalë në shesh. Dhe sheshi është mbushur si asnjëherë më parë me qytetarë kundër korrupsionit dhe arrogancës.
Kumbari ka ngelur vetëm. Dhe i ka ditët e numëruara!














