Rudina Hajdari e sheh protestën qytetare para Kryeministrisë si një moment të ngjashëm me lëvizjen studentore dhe protestat e viteve ’90, duke argumentuar se qytetarët sot po përballen me të njëjtin zhgënjim ndaj klasës politike që ka dominuar vendin për më shumë se tre dekada.
E ftuar në emisionin “Off the Record” në A2 CNN, Hajdari u shpreh se pakënaqësia ndaj politikës tradicionale ka arritur kulmin, ndërsa kritikoi si mazhorancën ashtu edhe opozitën për mungesën e një alternative të besueshme për qytetarët.
Sipas saj, figurat që kanë drejtuar politikën shqiptare për vite me radhë janë konsumuar dhe kanë humbur lidhjen me njerëzit, duke i përdorur qytetarët për interesa personale e politike.
Hajdari, e cila ka mbërritur nga Shtetet e Bashkuara për të mbështetur protestën, tha se kjo lëvizje po ndiqet me entuziazëm edhe nga diaspora shqiptare. Ajo vlerësoi pjesëmarrjen e të rinjve dhe e cilësoi energjinë e tyre si forcën kryesore që mund të sjellë ndryshimin në vend.
“Njerëzit janë lodhur nga nepotizmi, nga mungesa e meritokracisë dhe nga një sistem që nuk u jep mundësi të rinjve. Sot ka shpresë dhe ka një brez që kërkon të marrë përgjegjësi për të ardhmen e vendit”, tha ajo.
Duke iu referuar trashëgimisë politike të të atit, Hajdari theksoi se amaneti i Azem Hajdarit për demokraci dhe ndryshim mund të përmbushet vetëm përmes angazhimit të një brezi të ri qytetarësh.
Ajo nënvizoi se asnjë individ i vetëm nuk mund të ndryshojë vendin, por se ndryshimi vjen kur bashkohen shumë njerëz me vullnet dhe besim për ta bërë Shqipërinë më të mirë.
“Ka qytetari, ka shpresë, ka një brez të ri i cili është mbushur kupa. Siç shihet që dhe sheshi ëahtë mbushur plot. Diaspora është shumë krenare për momentin entuziazmi ndihet më shumë andej se këtej. Është momenti i vetëm që Shqipëria ka qenë në hartën e botës.
Shkëndija erdhi nga projekti Kushner-Trump, shërbeu si shkëndijë për të marrë hovine madh. Është një forcë mbinatyore që po po ndodh kjo protestë i ka përbërësit për të kaluar masat. Ka një forcë tjetër që po e ndihmon; besimi i fortë, shpresa për këtë vend që gjithë këta njerëz që e kanë keq përdorur dhe unë si bija e Azem Hajdarit e mendoj që amaneti i babait tim duhet të shkojë deri në fund.
Dhe ky brez mund ta çojë atë në fund. Një person i vetëm nuk mund të bëjë asgjë, duhet një mori e madhe njerëzish që kanë dëshirë për vendin e vet.
Shumë njerëz në protestë janë të lodhur nga nepotizmi. Është koha për ata të rinj që janë të aftë dhe unë nuk jam këtu për të dhënë shenjë që jam pjesë e kësaj lëvizjeje, por për t’i mbështetur këta të rinj që duan ndryshimin në vend”.














