Grupi politik Partia Demokratike Evropiane ka reaguar ndaj deklaratave të Edi Ramës në intervistën e tij për Financial Times, ku shau protestuesit duke i thënë “fuck you”.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, Demokratët Europianë shprehen se Rama iu përgjigj protestuesve me akuza, shmangie të përgjegjësisë dhe gjuhë përçmuese, në vend që të adresonte shqetësimet e tyre.
Në reagim theksohet se kur qytetarët ngrenë pyetje mbi tokat e mbrojtura, pastrimin e parave dhe përdorimin e pushtetit, përgjigjja duhet të jetë transparenca dhe respekti, jo fyerjet.
“Në intervistën e tij për Financial Times, Edi Rama iu përgjigj qytetarëve që protestojnë kundër resortit të lidhur me Kushnerin me akuza, shmangie të përgjegjësisë dhe përçmim. Të quash sheshin një komplot të huaj, ose t’u përgjigjesh me “fuck you” atyre që kërkojnë përgjigje, nuk është udhëheqje. Kur njerëzit pyesin për tokat e mbrojtura, pastrimin e parave dhe pushtetin, demokracia kërkon respekt. Sheshi duhet të dëgjohet, jo të fyhet. Shqipëria meriton transparencë, jo arrogancë”, thuhet në deklaratën e Partisë Demokratike Europiane.














