Një aksident rrugor është regjistruar pasditen e së martës në Durrës, në zonën e Ish-Kënetës, në rrugën “Azem Hajdari”.
Sipas informacioneve paraprake, në aksident janë përfshirë dy automjete, të cilat dyshohet se po lëviznin me shpejtësi. Për të shmangur përplasjen frontale, njëri prej drejtuesve ka tentuar të devijojë, por mjetet janë përplasur, ndërsa njëri prej automjeteve ka përfunduar në një kanal anës rrugës.
Si pasojë e aksidentit, i plagosur ka mbetur drejtuesi i automjetit që doli nga rruga. Ai është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Durrësit, ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.














