Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 12 persona, mes tyre edhe kryebashkiakun e Kolonjës, Erion Isai, të akuzuar për shkelje në procedurat e prokurimit publik dhe shpërdorim detyre.
Sipas SPAK, të pandehurit akuzohen për disa vepra penale, përfshirë “Shpërdorim detyre”, “Shkelje të barazisë në tendera” dhe “Falsifikim dokumentesh”.
Në listën e të pandehurve, përveç Isait, janë edhe:
Eljona Mydini, ish zëvendëskryetare e Bashkisë Kolonjë, e akuzuar për “shpërdorim detyre” në bashkëpunim;
Ergys Verdho, ish Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, i akuzuar për “shpërdorim detyre”;
Erald Elezi, ish Drejtor i Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve pranë ARRSH, i akuzuar për “shpërdorim detyre”;
Genti Raça, përgjegjës i sektorit të preventivit pranë ARRSH, i akuzuar për “shpërdorim detyre”;
Donikë Shehu, ish specialiste e nivelit të lartë pranë ARRSH, e akuzuar për “shpërdorim detyre”;
Klarita Konomi, ish specialiste pranë ARRSH, e akuzuar për “shkelje të barazisë në tendera”;
Nikollaq Mihali, specialist pranë ARRSH, i akuzuar për “shkelje të barazisë në tendera”;
Erdit Salillari, përgjegjës sektori pranë ARRSH, i akuzuar për “shkelje të barazisë në tendera”;
Nga Bashkia Kolonjë: Erjon Cenko, Engjëll Dine dhe Ermal Zylfo, të akuzuar për “falsifikim dokumentesh” dhe “shkelje të barazisë në tendera”; Armand Tafil, Muharrem Tartari dhe Shpëtim Liço, të akuzuar për “shkelje të barazisë në tendera”;
Entela Çano, administratore e shoqërisë “A&E Engineering” sh.p.k., e akuzuar për “falsifikim dokumentesh”.
HETIMET
Sipas organit të akuzës, nga hetimet ka rezultuar se një nga rastet kryesore lidhet me procedurën e prokurimit për ndërtimin e rrugës Korçë–Ersekë, me një fond limit rreth 2.8 miliardë lekë.
Sipas SPAK, Bashkia Kolonjë ka paraqitur dokumentacion sikur dispononte projekt për këtë rrugë, ndërkohë që në realitet nuk ekzistonte një i tillë. Hetimet kanë zbuluar se procesverbali i dorëzimit të projektit është falsifikuar nga punonjës të bashkisë në bashkëpunim me administratoren e një kompanie private.
Po ashtu, është konstatuar se fondi limit është përcaktuar në kundërshtim me ligjin dhe mbi bazën e të dhënave të paraqitura nga vetë subjekti i interesuar, i cili më pas ka fituar kontratën e mbikëqyrjes së punimeve.
Nga ekspertizat ka rezultuar se fondi i tenderit është fryrë me rreth 590 milionë lekë, duke shkaktuar dëm ekonomik për shtetin.
“1.Në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i rrugës Korçë Ersekë, Loti 2 (pjesa parë)”, me fond limit 2,879,999,858.89 (dy miliardë e tetëqind e shtatëdhjetë e nëntë milion e nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë e tetëqind e pesëdhjetë e e tëtë pikë tetëdhjetë e nëntë) lekë me tvsh, zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar në datën 24.09.2020, ka rezultuar se:
Në lidhje me projektin e paraqitur si nismë e Bashkisë Kolonjë, në kuadër të procedurës së ndjekur për “Shërbim projektimi në formë dhurimi/donacioni” me objekt “Ndërtim rruga Korçë–Ersekë, Loti 2”, nga veprimet hetimore dhe provat e administruara është konstatuar se Bashkia Kolonjë nuk ka disponuar dokumentacion projektues të përgatitur prej saj për këtë objekt, ndonëse ekzistojnë korrespondenca zyrtare me Autoritetin Rrugor Shqiptar në të cilat paraqitet e kundërta.
Nga provat e administruara, mbështetur edhe nga eskpertimi grafik i shkrimit dhe nënshkrimit të dokumentit, ka rezultuar se grupi i punës së Bashkisë Kolonjë, i përbërë nga shtetasit Erjon Cenko, Engjëll Dine, në bashkëpunim me personin që ka dhuruar projektin, shtetasen Entela Çano, administratore e shoqërise “A& E Enginieering”sh.p.k, kanë falsifikuar procesverbalin e marrjes në dorëzim të projektit nga Bashkia Kolonjë, ndërkohë që rezulton se nuk ka pasur projekt.
Sa i takon, përcaktimit të fondit limit për procedurën e prokurimit, nga ana e shtetasve Ergys Verdho, në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor dhe personave të tjerë përgjegjës të Autoritetit Rrugor Shqiptar, shtetasit Erald Elezi, Genti Raça dhe Donikë Shehu, nuk rezulton të jetë ndjekur rruga ligjore për përcaktimin e fondit limit.
Në kohën e hartimit të preventivit përfundimtar, të përgatitur nga ana e shtetasve Erald Elezi, Genti Raça, Donikë Shehu, dokument i miratuar edhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, shtetasi Ergys Verdho, nuk rezulton të ketë pasur projekt të hartuar dhe propozuar nga Bashkia Kolonjë, siç është paraqitur si dokumentacion i formalizuar nga Bashkia Kolonjë.
Përcaktimi i fondit limit nga ana e grupit të punës, personat përgjegjës të Autoritetit Rrugor Shqiptar, shtetasit Erald Elezi, Genti Raça dhe Donikë Shehu, është bërë mbi bazën e të dhënave të përgatitura dhe të paraqitura dorazi nga vetë personi i interesuar, shtetësja, Entela Çano, administratorja e shoqërisë “A & E Engineering” sh.p.k, e cila që ka fituar më pas kontratën e mbikëqyrjes së zbatimit të punimeve për këtë objekt, ndërtimi i rrugës Korçë-Ersekë, loti i 2 (pjesa e parë).
Në përgatitjen e preventivit që ka shërbyer edhe për përcaktimin e fondit limit të autoritetit kontraktor, nga ana e shtetasve Ergys Verdho, në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe personave përgjegjës të tjerë, shtetasit Erald Elezi, Genti Raça dhe Donikë Shehu, është vepruar në kundërshtim me ligjin nr.162/2020 “Për prokurimin publik”, VKM nr.914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar, ligjin nr. 10296, datë 8.7.2010, “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”, të ndryshuar, ligjin nr.10164, datë 15.10.2009 “Për Autoritetin Rrugor Shqiptar”, VKM nr.276, datë 16.5.2018 “Për miratimin e organizimit, të strukturës, organikës dhe statutit të Autoritetit Rrugor Shqiptar”.
Nga provat e administruara, mbështetur edhe nga ekspertimi teknik vlerësues dhe kontabël, ka rezultuar se fondi i përcaktuar nga autoriteti kontraktor për këtë procedurë prokurimi është fryrë në vlerën 590,213,874(pesëqind e nëntëdhjetë milion e dyqind e trembëdhjetë mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e katër) lekë, që përbën edhe dëm ekonomik të shkaktuar shtetit”,- thuhet në njoftimin e SPAK.
Një tjetër procedurë hetimore lidhet me tenderin për supervizimin e punimeve të kësaj rruge, ku anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave dyshohet se kanë krijuar avantazhe të padrejta për një kompani të caktuar.
“2.Procedura e prokurimit me objekt: “Supervizim i punimeve për ndërtimin e rrugës Korçë-Ersekë, loti i 2 (pjesa e parë)”, me fond limit 22,704,145 (njëzet e dy milion e shtatëqind e katër mijë e njëqind e dyzet e pesë) lekë me tvsh, zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar në datën 14.10.2020, ka rezultuar se:
Erdit Salillari, Klarita Konomi, Niko Mihali, nën cilësinë e anëtarëve të komisionit të vlerësimit të ofertave kanë vepruar në kundërshtim me ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar dhe VKM nr.914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar, duke krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për shoqërinë e shtetases Entela Çano, “A&E Engineering” sh.p.k”,- thuhet në njoftim.
Ndërkohë, shkelje janë konstatuar edhe në një tjetër procedurë për mbikëqyrjen e punimeve të ujësjellësit në Ersekë dhe disa fshatra përreth.
Sipas SPAK, zyrtarë të Bashkisë Kolonjë, në bashkëpunim me kryebashkiakun Erion Isai, kanë përcaktuar fondin limit dhe kriteret e tenderit në mënyrë të paligjshme, duke favorizuar subjektin fitues.
Hetimet tregojnë se fondi është përllogaritur pa studim real tregu, janë përdorur oferta fiktive, specifikimet teknike janë hartuar nga vetë kompania fituese dhe kriteret e tenderit janë përshtatur për një subjekt të paracaktuar.
“3.Procedura e prokurimit me objekt: “Mbikëqyrje Punimesh Ndërtim i Ujësjellësit Ersekë dhe të disa fshtarave Faza e dytë nga burimet e Kozelit”, me fond limit 4,623,021.7 lekë me tvsh, zhvilluar nga Bashkia Kolonjë, zhvilluar në datën 06.10.2020, ka rezultuar se:
Në lidhje me përllogaritjen e fondit limit dhe hartimin e specifikimeve teknike, shtetasit Muharem Tartari, Engjëll Dine, Ermal Zylfo, nën cilësinë e anëtarëve të komisionit të përllogaritjes së fondit limit dhe hartimin e specifikimeve teknike, në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, shtetasin Erion Isai, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin nr.162/2020 “Për prokurimin publik”, si dhe VKM nr. 914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar, me qëllim favorizimin dhe krijimin e privilegjeve të padrejta për shoqërinë fituese të kësaj procedure prokurimi, shoqëria “A&E Engineering” sh.p.k.
Anëtarët e komisionit të përllogaritjes së fondit limit dhe hartimin e specifikimeve teknike, shtetasit Muharem Tartari, Engjëll Dine, Ermal Zylfo, në përllogaritjen e fondit janë bazuar pa kryer një studim real të tregut, duke u mbështetur në oferta fiktive të përgatitura nga vetë shoqëria fituese e kësaj procedure prokurimi, shoqëria “A&E Engineering” sh.p.k. Si dhe specifikimet teknike janë përgatitur nga administratorja e shoqërisë “A&E Engineering” sh.p.k.,shtetasja Entela Çano.
Në lidhje me hartimin e dokumenteve standarde të tenderit, anëtarët e njësisë së prokurimit, shtetasit Armand Tafil, Erjon Cenko, Shpëtim Liço, në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, shtetasin Erion Isai, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin nr.162/2020 “Për prokurimin publik”, si dhe VKM nr. 914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik” i ndryshuar, me qëllim favorizimin dhe krijimin e privilegjeve të padrejta për shoqërinë fituese të kësaj procedure prokurimi, shoqëria “A&E Engineering” sh.p.k.
Anëtarët e njësisë së prokurimit, shtetasit Armand Tafil, Erjon Cenko, Shpëtim Liço, në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, shtetasin Erion Isai, kanë miratuar dokumentet standarde të tenderit duke vendosur kritere të përcaktuara nga vetë shoqëria fituese e kësaj procedure prokurimi, shoqëria “A&E Engineering” sh.p.k”,- thuhet në njoftim.














