Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar zhvillimin e një interpelance urgjente me kryeministrin Edi Rama në seancën më të afërt plenare, lidhur me kërkesat e qytetarëve që prej javësh po protestojnë në vend dhe me shqetësimet e ngritura në rezolutën e fundit të Parlamentit Europian për Shqipërinë.
PD kujton se protestat kanë nisur më 31 maj 2026 dhe janë organizuar nga qytetarë të paangazhuar politikisht, të cilët kundërshtojnë mungesën e transparencës për një projekt zhvillimi në një zonë të mbrojtur.
Sipas opozitës, protestat kanë sjellë në vëmendje edhe probleme të tjera që lidhen me qeverisjen, korrupsionin, përdorimin e pushtetit dhe mungesën e shërbimeve për qytetarët.
PD rendit pesë kërkesat kryesore të protestuesve: dorëheqjen e qeverisë, shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike, shfuqizimin e Paketës së Maleve, anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe anulimin e ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore.
Sipas njoftimit, një pjesë e këtyre shqetësimeve janë pasqyruar edhe në rezolutën e miratuar më 17 qershor nga Parlamenti Europian për raportin e Komisionit Europian mbi Shqipërinë.
Dokumenti shpreh shqetësim për zgjatjen e ligjit për investimet strategjike, ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura dhe ndikimin që këto zhvillime mund të kenë në mjedis dhe në procesin e integrimit europian të vendit.
Rezoluta ndalet veçanërisht te zhvillimet në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë, duke kërkuar pezullimin e procedurave të reja për leje dhe ndërtime në zonat e mbrojtura deri në përputhjen e plotë të legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Europian.
Në këto rrethana, Grupi Parlamentar i PD kërkon që kryeministri të paraqitet në Kuvend për të dhënë sqarime mbi masat që qeveria ka ndërmarrë për adresimin e shqetësimeve të ngritura nga institucionet europiane dhe nga qytetarët që vijojnë protestat në vend.














