Ja edhe Parlamenti Evropian e bëri ndarjen e shapit nga sheqeri, por jo ashtu siç e tregon Kryeministri.
Rama, në deklaratën e tij të djeshme, tha se Parlamenti Evropian “ndau shapin nga sheqeri” dhe se Zvërneci nuk ka lidhje me Vjosë-Nartën. Teksti i rezolutës thotë të kundërtën. Për të kuptuar shtrembërimin, duhen dalluar dy amendamente të ndryshme.
I pari, ai që Rama e quan “fitore”, kërkonte që Parlamenti Evropian të përmendte drejtpërdrejt kompaninë e Jared Kushner-it dhe të mbështeste hetimin e SPAK-ut. Ky amendament u rrëzua.
I dyti, Amendamenti 46a, kishte në qendër zhvillimet në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë dhe kërkonte moratorium të menjëhershëm mbi procedurat e reja të dhënies së lejeve, punimet ndërtimore dhe ndërhyrjet zhvillimore në zonat e mbrojtura. Ky amendament u miratua më 17 qershor 2026.
Rama flet vetëm për të parin. Hesht tërësisht për të dytin. Dhe pikërisht Amendamenti 46a, i miratuar me shumicë:
Identifikon shprehimisht zhvillimet në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë si dëshmi të pasojave praktike të ndryshimeve ligjore të ndërmarra nga qeveria shqiptare;
Kërkon moratorium të menjëhershëm mbi të gjitha procedurat e reja të dhënies së lejeve, punimet ndërtimore dhe ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura, derisa të shfuqizohen dispozitat e papajtueshme të ligjit të ndryshuar “Për Zonat e Mbrojtura” dhe të sigurohet përputhshmëria e plotë me standardet e BE-së;
Ndjek nga afër protestat masive paqësore, jo si “luftë për pushtet”, por si shprehje legjitime e një shqetësimi real;
E lidh drejtpërdrejt moratoriumin me kriteret përmbyllëse të Kapitullit 27, pra me kushtet e anëtarësimit në Bashkimin Evropian;
Kërkon që çdo projekt në këtë zonë t’i nënshtrohet një vlerësimi gjithëpërfshirës të ndikimit në mjedis, në përputhje të plotë me standardet e BE-së, si dhe një procesi transparent të pjesëmarrjes publike me komunitetet lokale, shkencëtarët dhe shoqërinë civile.
Amendamenti 46a nuk qëndron i shkëputur nga zhvillimet e mëparshme institucionale. Rezoluta e majit 2026 shprehte “keqardhje të thellë” për shtyrjen e shfuqizimit të ligjit të vitit 2015 “Për Investimet Strategjike” dhe kërkonte shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin “Për Zonat e Mbrojtura”, pika 46 e identifikon problemin ligjor: procedura të përshpejtuara lejesh, shqyrtim të reduktuar mjedisor, zhvillim turistik në shkallë të gjerë brenda zonave të mbrojtura dhe transferim kompetencash vendimmarrëse te Këshilli Kombëtar i Territorit. Amendamenti 46a identifikon pasojën konkrete të këtij problemi: zhvillimet në Vjosë-Nartë. Dhe kërkon masën e menjëhershme: moratoriumin.
Kjo nuk është, siç i pëlqen Kryeministrit ta paraqesë, “mbështetje” për qeverinë. Është qortim i ashpërsuar dhe përshkallëzim i dokumentuar. Gjuha diplomatike është e qartë: nga “keqardhje e thellë” për kuadrin ligjor kalohet te “shqetësim i thellë” për pasojat konkrete në Vjosë-Nartë; nga kërkesa për shfuqizimin e ndryshimeve ligjore kalohet te kërkesa për moratorium të menjëhershëm. Në diplomaci, kjo nuk është çështje stili, por është trajektore përshkallëzimi, nga kritika e ligjit, te identifikimi i dëmit konkret, te kërkesa për ndalimin e menjëhershëm të ndërhyrjeve.
Edhe një fakt duhet kuptuar. KKTU-ja miratoi lejen zhvillimore të Zvërnecit më 30 mars 2026. Autoritetet mjedisore vendosën nevojën për VNM të thelluar vetëm më 15 maj 2026 , 46 ditë pas dhënies së lejes. Komisionerja Kos deklaroi më 15 qershor se kishte marrë “garanci nga qeveria” se vlerësimet do të bëheshin në përputhje me standarded e BE-së. Por VNM-ja nuk është një formalitet që kryhet pasi vendimi zhvillimor është marrë, ajo duhet t’i paraprijë vendimmarrjes dhe të ndikojë realisht në të. Si mund të garantohen “standardet e BE-së” kur leja zhvillimore ishte dhënë përpara se të vendosej vetë detyrimi për vlerësim mjedisor?
Parlamenti Evropian votoi dy ditë pas deklaratës së Komisioneres Kos dhe, pavarësisht garancive të qeverisë, miratoi Amendamentin 46a. Kjo nuk dëshmon mospërputhje ndërmjet Komisioneres dhe Parlamentit. Amendamenti vetë i referohet shprehimisht “kërkesës së kahershme të Komisionit dhe Parlamentit” dhe e vendos deklaratën e saj në kornizën e duhur. Garancitë e qeverisë nuk janë certifikatë paraprake pajtueshmërie dhe as zëvendësim për procedurat ligjore. Komisionerja evidentoi garancitë që kishte marrë. Parlamenti Evropian përcaktoi kushtet me të cilat ato garanci mund të konsiderohen të besueshme. Deri sa garancitë të shndërrohen në pajtueshmëri të provuar dhe të verifikueshme, procedurat e reja të lejeve, punimet dhe ndërhyrjet në zonat e mbrojtura duhet të ndalen.
Pra, si u nda shapi nga sheqeri? Duke diferencuar amendamentin për Kushner-in nga çështja e mbrojtjes së Vjosë-Nartës, por duke identifikuar shprehimisht zhvillimet në këtë zonë si shembullin konkret të pasojave të ndryshimeve ligjore, duke ndjekur protestat paqësore dhe duke kërkuar ndalimin e menjëhershëm të ndërhyrjeve të reja.
Rrëzimi i amendamentit për Kushner-in nuk e fshin Amendamentin 46a. Nuk e heq Vjosë-Nartën nga rezoluta. Nuk e zhduk kërkesën për moratorium. Çdo interpretim tjetër nuk është lexim i plotë i rezolutës dhe mbetet përzgjedhje propagandistike e vetëm asaj pjese që i intereson qeverisë.
Rezoluta e PE, 11 maj 2026 Pika 46.
“Shpreh keqardhje të thellë për faktin se shfuqizimi i ligjit i vitit 2015 “për Investimet Strategjike” është shtyrë, duke pasur parasysh dispozitat e tij që mundësojnë procedura të përshpejtuara të dhënies së lejeve dhe një shqyrtim të reduktuar mjedisor, të cilat rrezikojnë të ndikojnë negativisht në zonat e mbrojtura dhe në zona të tjera mjedisore të ndjeshme; bën thirrje për shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin “për Zonat e Mbrojtura”, të cilat lejojnë zhvillimin e infrastrukturës turistike në shkallë të gjerë brenda zonave të mbrojtura dhe transferojnë kompetencat kryesore të qeverisjes dhe vendimmarrjes te Këshilli Kombëtar i Territorit, duke dobësuar kështu mbikëqyrjen mjedisore”.
Amendamenti 46a, miratuar 17 qershor 2026:
46a. Shpreh shqetësim të thellë se zhvillimet në vazhdim brenda zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë dëshmojnë pasojat praktike të këtyre ndryshimeve legjislative dhe rreziqet që ato sjellin për zonat me vlera ekologjike të njohura; ndjek nga afër protestat masive paqësore që po zhvillohen në këtë drejtim; u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të vendosin menjëherë një moratorium mbi të gjitha procedurat e reja të dhënies së lejeve, punimet ndërtimore dhe ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura, derisa të jenë shfuqizuar dispozitat e papajtueshme të Ligjit të ndryshuar për Zonat e Mbrojtura, bazuar në një kërkesë të kahershme të Komisionit dhe Parlamentit dhe në përputhje me kriteret përmbyllëse të Kapitullit 27, si dhe derisa të jetë siguruar pajtueshmëria e plotë me standardet e BE-së për mbrojtjen e natyrës; thekson se çdo projekt në këtë zonë duhet t’i nënshtrohet vlerësimeve gjithëpërfshirëse të ndikimit në mjedis, plotësisht në përputhje me standardet e BE-së, duke përfshirë një proces transparent të pjesëmarrjes publike me komunitetet lokale, shkencëtarët dhe shoqërinë civile. /Shteg.org














