Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, e ka cilësuar rezolutën e fundit të Parlamentit Evropian si një mundësi të rëndësishme për protestat paqësore në Shqipëri, duke argumentuar se ato mund të shndërrohen në një forcë reale ligjvënëse përmes mekanizmave kushtetues.
Në një reagim publik, Malaj thekson se përmes mbledhjes së 20 mijë firmave, qytetarët mund të paraqesin nisma ligjore në Kuvend, duke e kthyer protestën nga një reagim qytetar në një instrument që ndikon drejtpërdrejt në vendimmarrje.
Sipas tij, protesta mund të funksionojë si një “Parti e Popullit”, pa pasur nevojë për strukturë apo vulë politike, duke u mbështetur vetëm te qytetarët dhe ekspertët.
Malaj propozon katër nisma urgjente ligjore që, sipas tij, duhet të ndërmerren menjëherë: anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, shfuqizimin e ligjit për investitorët strategjikë, ndalimin e pjesëmarrjes në tendera të kompanive me seli në parajsa fiskale dhe detyrimin ligjor për aplikimin e garancisë së ofertës në çdo procedurë publike.
Ish-ministri argumenton se nismat duhet të vijnë drejtpërdrejt nga qytetarët dhe jo përmes deputetëve, pasi kjo do të rriste besueshmërinë publike dhe do të shmangte ndikimin e forcave politike.














