Pavarësisht forcimit të kuadrit ligjor kundër pastrimit të parave, Shqipëria vijon të mbetet një nga vendet më të ekspozuara në Ballkanin Perëndimor ndaj përdorimit të profesionistëve si noterë, avokatë, kontabilistë dhe auditues për të legjitimuar para me origjinë kriminale.
Ky është përfundimi i raportit më të fundit të organizatës ndërkombëtare Global Initiative Against Transnational Organized Crime (GI-TOC), i cili analizon mënyrën sesi profesionistët e sektorit juridik dhe financiar mund të shfrytëzohen nga rrjetet kriminale për të fshehur origjinën e fondeve të paligjshme dhe për t’i integruar ato në ekonominë formale.
Raporti vlerëson se në Shqipëri, ashtu si në pjesën më të madhe të rajonit, problemi kryesor nuk lidhet me mungesën e ligjeve, por me zbatimin e tyre. Dobësitë në mbikëqyrje, raportimi i kufizuar i transaksioneve të dyshimta dhe koordinimi jo i plotë mes institucioneve krijojnë hapësira që mund të shfrytëzohen për pastrimin e parave, veçanërisht në sektorin e pasurive të paluajtshme.
Sipas raportit, noterët konsiderohen ndër profesionet me rrezikun më të lartë në Shqipëri për shkak të rolit të tyre kyç në formalizimin e transaksioneve të pronave. Vlerësimet kombëtare të riskut i klasifikojnë noterët shqiptarë në kategorinë “e lartë” të ekspozimit ndaj pastrimit të parave, ndërsa kontabilistët dhe audituesit paraqesin rrezik mesatar.

Autorët theksojnë se tregu i pasurive të paluajtshme vazhdon të mbetet një nga kanalet kryesore për integrimin e fondeve të paligjshme në ekonomi. Teknikat më të zakonshme përfshijnë nënvlerësimin ose mbivlerësimin e pronave, përdorimin e kontratave fiktive dhe transferimet e shpeshta të pronësisë për të fshehur gjurmët e origjinës së parave. Në këtë proces, noterët mund të luajnë rol vendimtar, pasi pa certifikimin e tyre shumica e transaksioneve nuk mund të finalizohen.
Raporti rikujton se MONEYVAL e vendosi Shqipërinë nën procedurë të përforcuar monitorimi pas vlerësimit të vitit 2018, ndërsa në raportin pasues të vitit 2023 konstatoi se noterët shqiptarë rrallë kryejnë kontrolle të plota të klientëve dhe raportojnë pak raste të dyshimta, veçanërisht në transaksionet me vlerë të lartë në zonat bregdetare, të konsideruara si një nga sektorët më të ndjeshëm ndaj pastrimit të parave.
Një tjetër problem i evidentuar është fakti se shumë regjistra noterialë vazhdojnë të funksionojnë në mënyrë manuale, duke e bërë të vështirë verifikimin në kohë reale të historikut të pronësisë apo të transaksioneve. Sipas raportit, kapacitetet e kufizuara inspektuese dhe mungesa e pragjeve të qarta të raportimit kanë krijuar një kulturë nënraportimi kronik të aktiviteteve të dyshimta.
Të dhënat e përfshira në studim tregojnë se noterët shqiptarë kanë raportuar 413 transaksione të dyshimta gjatë vitit 2024, nga 51 një vit më parë. Megjithatë, autorët vlerësojnë se këto shifra mbeten të ulëta krahasuar me volumin e transaksioneve që kalojnë përmes sistemit noterial, sidomos në tregun e pronave.
Raporti ngre gjithashtu shqetësimin se profesionistët e përfshirë në pastrimin e parave po përdorin gjithnjë e më shumë kompani guackë, struktura offshore, kriptomonedha dhe transaksione ndërkufitare për të fshehur pronësinë reale të aseteve. Kjo e bën më të vështirë gjurmimin e fondeve nga autoritetet dhe rrit nevojën për bashkëpunim më të madh ndërinstitucional.
Sipas GI-TOC, Shqipëria ka bërë progres në përafrimin e legjislacionit me standardet e Bashkimit Europian dhe të FATF, por sfida kryesore mbetet forcimi i kontrollit mbi profesionet që veprojnë si “porta hyrëse” të ekonomisë formale. Pa mbikëqyrje më të fortë, sisteme të dixhitalizuara dhe raportim më aktiv të transaksioneve të dyshimta, sektori i pasurive të paluajtshme do të vazhdojë të konsiderohet një nga pikat më të ndjeshme për pastrimin e parave në vend./ekofin.al
















