Pas 48 orë kërkimesh është gjetur trupi i pajetë i 37-vjeçarit Armando Zajsi i cili u mbyt në ujërat e liqenit të Ulzës pasditen e së hënës.
Sipas raportimeve, trupi u transportua për ekspertizë mjekoligjore e më pas do t’i dorëzohet familjes për t’i dhënë lamtumirën e fundit.
37 vjeçari Armand Zajsi kishte shkuar në Ulëz bashkë me kushurinj e shokë për të darkuar në një nga restorantet e zonës, të Martën do të rikthehej në Itali ku jetonte e punonte prej shumë vitesh.
Teksa ka qenë në breg të liqenit ai ka marrë mjetin ujor jetsci (xhetski) dhe ka hyrë në ujërat e liqenit duke bërë disa xhiro. Në një moment është rrëzuar nga mjeti ujor dhe ka tentuar me not t’i afrohet por dyshohet se në këtë moment ka humbur ndjenjat dhe është zhytur në thellësi.
“Pas dy ditësh kërkime intensive, rreth orës 20:00 të ditës së sotme, shërbimet e njësisë së polumbarëve të RENEA-s, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, Forcat e Armatosura, Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, forca vullnetare dhe familjarë, bënë të mundur gjetjen, nxjerrjen nga liqeni dhe identifikimin e trupit të pajetë të shtetasit A. Z.
Trupi i pajetë do të transportohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për kryerjen e veprimeve dhe ekspertizës mjekoligjore.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”,- njoftoi sot Policia.













