Nga Boldnews.al
“Vlerat tona janë cilësia, etika dhe integriteti”. Ky slogan qëndron në krye të faqes së internetit të kompanisë “Aliu Road House-AHR”, një kompani ndërtimi që dyshohet nga Prokuroria e Posaçme se ka pastruar miliona euro të një grupi të fuqishëm kriminal shqiptar, i angazhuar për trafikun e kokainës nga Amerika Latine drejt Europës.
Në krye të kompanisë “AHR” qëndron zyrtarisht Isa Aliu, i cili prej fillimit të kësaj jave është shpallur në kërkim, si pjesë e grupit kriminal. Megjithatë, prokurorët dyshojnë se pas kompanisë që ka ngritur një numër të konsiderueshëm godinash në Tiranë e resorte në bregdet qëndron vëllai i tij, Salvador Aliu, një rezident prej vitesh në Dubai.
Prokuroria e Posaçme (SPAK) njoftoi këtë të martë (16 qershor 2026) se janë lëshuar urdhër-arreste për të paktën 10 persona, të dyshuar si anëtar të klanit kriminal.
Mes tyre spikasin emrat e Eldi Dizdari (Denis Matoshi) dhe Dritan Gjika, të përfolur edhe më herët si pjesë e “Kompania Bello”, një organizatë multi-nacionale, përgjegjëse për trafikimin e tonelatave kokainë nga Ekuadori në drejtim të Belgjikës, Hollandës, Italisë e Britanisë së Madhe.
Hetimet e deritanishme kanë treguar se grupi kriminal ka dërguar në gjendje cash në Shqipëri shuma të papërcaktuara ende, por që janë në rendin e miliona e miliona euro. Më pas, këto vlera të konsiderueshme monetare janë futur në qarkullim të lirë, duke tentuar të ligjërohen, nëpërmjet projekteve ndërtimore, të realizuara nga “AHR” dhe kompani të tjera të lidhura me grupin.
Vilat në Gjirin e Lalzit
Ndërtuesi Isa Aliu është një 54-vjeçar nga Elbasani, i cili ka ruajtur një profil tejet diskret publik. Në burime të hapura nuk gjendet asnjë foto e tij, megjithëse kompania e tij gjendet pas projekteve luksoze dhe shumë të shtrenjta.
Prokuroria e Posaçme thotë se kompanitë e lidhura me këtë grup kriminal kanë ndjekur një “modus operandi”, një mënyrë veprimtarie të kujdesshme, për të shmangur dyshimet e institucioneve hetimore.
“Për të mos tërhequr menjëherë vëmendjen nga strukturat ligjzbatuese, personi nën hetim Isa Aliu, orientoi që kompania të shfaqej fillimisht si nënkontraktore për ndërtim banesash. Shfaqja e kompanisë në këtë mënyrë, do të “justifikonte” sërish flukset e ardhshme të parave cash dhe shtrirjen e pritshme në sektorin e ndërtimit”.
Kjo veprimtari e kamufluar gjendet në disa projekte tejet fitimprurëse. SPAK-u njoftoi se janë vendosur nën sekuestro “121 pasuri të paluajtëshme, si vila , Apartamente, Duplexe, parkime, etj. tek “Kompleksi multi-funksional turistik, rezidencial dhe komercial (Porto Lalzi/Lalzi Marina Seaside)”, me vendndoddhje në Hamallaj, Gjiri i Lalzit Durrës”.

Në nëntor të vitit 2018, Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama, miratoi lejen e zhvillimit për kompleksin turistik “Lalzi Marine Seaside”, me investitor kompaninë “Svilupo Mare” shpk, në pronësi të Redi Peza dhe Bujar Huqi.
Dy vjet më pas, në dhjetor 2020, KKT, po nën drejtimin e Ramës, miratoi lejen e ndërtimit për kompleksin me vila në zonën e Hamallajt, në bregdetin e Durrësit, pranë Gjirit të Lalzit.
Nga ky moment, investitori fitoi të drejtën e ndërtimit të 132 godinave, nga të cilat ndërtesa nga 1 deri në 6 kate, vila dy-katëshe dhe dy hotele, si edhe ambjente shërbimi.
Leja e ndërtimit për ngritjen e kompleksit “Porto Lalzi” nga kompania “Svilupo Mare” përkon me kohën kur shoqëria “Aliu Road House” dyshohet se hyri në aktivitetin e pastrimit të parave të trafikut të drogës.

Mes kompanisë investitorë “Svilupo Mare” dhe “Ali Road House” rezulton të jetë nënshkruar një Marrëveshje për ndërtimin, nga e cila shoqëria në pronësi formale të Isa Aliut rezulton se ka përfituar plot 121 vila dhe godina të tjera.
Sipas të dhënave zyrtare, kompania e Isa Aliut merrte përsipër që të ndërtonte godina në një sipërfaqe rreth 90 mijë metra katrorë, me një vlerë investimi rreth 30 milionë euro.
Pasuritë e regjistruara në emër të “Aliu Road House” në kompleksin “Lalzi Seaside” janë vendosur së fundmi nën sekuestro nga Prokuroria e Posaçme.
“Investitori” i vilave
Hetimi i Prokurorisë së Posaçme ka konstatuar se shoqëria “Aliu Road House”, në vitin 2021, ka rritur ndjeshëm kapitalin e saj, duke deklaruar në bilanc në fitim mbi një milion euro.
Pas rritjes zyrtare të kapitalit, në periudhën 2021-2023, “AHR” nënshkruar marrëveshje ndërtimi me kompaninë “Svilupo Mare 1”, me qëllim ndërtimin e rezidencave “Lalzi Marina Seaside” dhe “Porto Lalzi Villas”, të vendosura në zonën ekskluzive të Hamallajt, në Durrës.

Sipas marrëveshjeve, “Aliu Road House” shpk dyshohet se ka ndërtuar me kapitalet e saj si nënkontraktor vilat në sipërfaqe 90 mijë metra katrorë në kompleksin “Lalzi Marina Seaside”.
Ndërsa në kompleksin “Porto Villas”, kompania me pronar Isa Aliun, kësaj radhe në rolin e investitorit ka lidhur dy kontrata sipërmarrjeje ndërtim me “Svilupo Mare 1” shpk, për një vlerë prej më shumë se 12 milionë euro.
Në kuadër të këtij hetimi, mësohet se agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë zhvilluar edhe një kontroll në ambjentet e kompanisë së biznesmenit Redi Struga, me qëllim identifikimin e mëtejshëm të raporteve të kompanisë së tij, “Svilupo Mare 1” me “Aliu Road House”.
LEXO EDHE














