Një nga pikat më të debatuara të projektit turistik në Zvërnec ka qenë ekzistenca ose jo e lejes së ndërtimit për resortin e planifikuar në zonën e mbrojtur Pishë Poro–Nartë.
Që prej nisjes së punimeve në zonë dhe shpërthimit të protestave, kjo çështje është kthyer në një nga argumentet kryesore të përplasjes mes qeverisë, aktivistëve të mjedisit dhe qytetarëve që kundërshtojnë projektin.
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se nuk ekziston një leje ndërtimi për projektin në Zvërnec, por vetëm leje zhvillimi.
Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU), që kryesohet nga Kryeministri, është autoriteti përgjegjës për miratimin e lejeve të zhvillimit dhe ndërtimit për investime strategjike, projekte komplekse dhe zhvillime me rëndësi kombëtare. Rolin e sekretariatit teknik të këtij institucioni e ushtron Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZhT).
Ndaj, për të kuptuar nëse për projektin në Zvërnec ka ekzistuar apo jo një leje ndërtimi dhe cili është statusi i saj aktual, Faktoje analizoi deklaratat publike të Kryeministrit, dokumentet e KKTU-së (ato që janë të publikuara) dhe përgjigjen zyrtare të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit.
Çfarë deklaron Kryeministri Rama?
Që kur theu heshtjen për projektin në Zvërnec, rreth një muaj pasi në terren (maj) kishin nisur punimet për rrethimin e zonës në Pishë Poro–Nartë, kryeministri Edi Rama ka përsëritur vazhdimisht se për këtë projekt nuk ekziston një leje ndërtimi.
Sipas Ramës, aktiviteti i kryer në terren mbështetej në një leje zhvillimi dhe jo në një leje ndërtimi.
“Është dhënë leja e zhvillimit, e cila nuk është leje e ndërtimit, por rrethimi i pronës është një e drejtë e çdo pronari kur merr lejen e zhvillimit”, deklaroi Rama më 1 qershor. Të njëjtin qëndrim ai e ka përsëritur në disa dalje publike.
Edhe gjatë një takimi me gazetarë dhe përfaqësues të mediave europiane, Rama mohoi ekzistencën e një leje ndërtimi për projektin në Zvërnec.
“Në qoftë se dikush thotë që ka një leje ndërtimi, atëherë duhet ta tregojë këtë leje ndërtimi. (…) Nuk ka një leje për të ndërtuar, për ndërtim, në qoftë se nuk ka një vlerësim të ndikimit në mjedis”, u shpreh ai.
Çfarë tregojnë dokumentet?
Ndërkohë, një dokument i shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale tregoi se për projektin në Zvërnec ishte zhvilluar një procedurë zyrtare pranë institucioneve përgjegjëse.
Bëhet fjalë për një mbledhje të datës 28 janar 2025 të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit (KKTU), ku në listën e rendit të ditës përfshihej edhe objekti: “Leje ndërtimi për objektin ‘Resort turistik në Gadishullin e Zvërnecit’, Blloku Rezidencial F1V2, F1V3, F1R6, me vendndodhje në Pishë Poro–Nartë, Bashkia Vlorë, me subjekt zhvillues shoqërinë ‘Zvërnec South Adriatic Development’ sh.p.k.”

Fillimisht dokumenti sa më sipër (që për shumë u mor apriori si miratim) ngriti pikëpyetje mbi deklaratat e Kryeministrit dhe u bë një nga argumentet kryesore të kundërshtarëve.
I pyetur drejtpërdrejt për rastin në fjalë në një intervistë televizive më 12 qershor, Rama vijoi të këmbëngulte se nuk kishte një leje ndërtimi për projektin.
“Po ngatërrojmë dynjanë me këto letra që hidhen e priten. Nuk është dhënë dhe nuk ka leje ndërtimi në zhvillimin në Zvërnec”, deklaroi ai.
Kryeministri argumentoi se, nëse leja do të ishte miratuar dhe në fuqi që në janar të vitit 2025, punimet do të kishin nisur prej kohësh. Sipas tij, dokumenti i publikuar nuk përbënte një leje ndërtimi të mirëfilltë.
“Më nxirr lejen. Kjo nuk është leje. Është një paragraf mbi një dokument që ka një sërë lejesh”– këmbënguli Rama.
Për të kuptuar konkretisht se çfarë u bë me këtë dokument, (a ishte miratuar më pas, apo kishte mbetur thjesht pjesë e rendit të ditës, sa kohë nuk kishte një vendim të zbardhur), Faktoje iu drejtua zyrtarisht Agjencisë së Zhvillimit të Territorit.
Çfarë sqaron AZHT?
Në përgjigjen zyrtare për Faktoje, Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZhT) konfirmon se zhvilluesi kishte depozituar një aplikim për leje ndërtimi dhe Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU) kishte marrë një vendim (28.01.2025) për miratimin me kusht të lejes për projektin në Zvërnec.

Sipas AZhT-së: “Në lidhje me këtë aplikim, KKTU me Vendimin Nr. 39 datë 28.01.2025 ka miratuar me kusht Lejen e Ndërtimit (…) vendimmarrje e cila nuk është zbardhur si dhe nuk është më në fuqi, pasi subjekti zhvillues ka depozituar deklaratë noteriale, nëpërmjet së cilës është tërhequr aplikimi i sipërcituar. Ju bëjmë me dije se subjekti është tërhequr nga aplikimi më datë 27.03.2025”
Ky sqarim hedh dritë mbi statusin e procedurës administrative. Referuar AZhT-së, rezulton se ndërmjet datës 28 janar 2025, (KKTU e miratoi me kusht lejen), dhe më pas më 27 mars 2025 (kompania u tërhoq nga aplikimi).
Sipas AZhT-së, kjo vendimmarrje për leje ndërtimi nuk është zbardhur dhe për pasojë nuk është më në fuqi.
Pikëpyetja me lejen e zhvillimit
Një tjetër çështje e paqartë mbetet leja e zhvillimit. Sipas ligjit, kjo leje duhet të miratohet përpara dhënies së lejes së ndërtimit. Referuar përgjigjes zyrtare të AZhT-së, në bazë të ligjit duhej që leja e zhvillimit të ishte miratuar përpara se të jepej ‘leja e ndërtimit me kusht’ në fund të janarit.
Deri më tani, e vetmja gjë që dimë publikisht rreth kësaj çështjeje është një deklaratë e një përfaqësueseje të Agjencisë së Territorit, e cila në emisionin “Opinion” tha se ekziston leja e zhvillimit, por nuk specifikoi datën e miratimit. Deri sot kjo leje nuk është zbardhur dhe nuk gjendet e publikuar online.
Për çështjen sa më sipër qarkullon vetëm një korrespondencë komunikimi mes AZHT-së dhe kompanisë zhvilluese, ku në fund të përmbajtjes thuhet se: “AZHT do të vijojë me procedurat për lëshimin e dokumentit të lejes së zhvillimit”.

Përfundim
Referuar përgjigjes zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Territorit,rezulton se për projektin ka ekzistuar një vendim i KKTU-së për miratimin me kusht të lejes së ndërtimit, i cili ka mbetur në procedurë për rreth dy muaj, deri në tërheqjen e aplikimit nga kompania zhvilluese.
Sipas AZhT-së, vendimi nuk është finalizuar dhe nuk prodhon efekte juridike sot. Në këtë kuptim, ekzistenca e një miratimi me kusht është një akt administrativ i dokumentuar, ndërsa mungesa e një leje ndërtimi aktive dhe të zbatueshme mbetet statusi aktual juridik i projektit.
Pikërisht dallimi mes këtyre dy elementeve shpjegon pse deklaratat e Kryeministrit përbëjnë vetëm një gjysmë të vërtetë. /Faktoje.al













