Ermal Koko, pronari i kompleksit “Glow” në Gjirokastër, ku humbi jetën pak ditë më parë një i mitur, doli mëngjesin e kësaj të diele para gjykatës për tu njohur me masën e sigurisë.
Gjykata vendosi në përfundim të seancës “arrest shtëpie” për Kokon, duke liruar kështu nga qelia bashkëshortin e nënkryetares së Bashkisë së Gjirokastrës, Artiste Koko.
Ky vendim është komentuar si i padrejtë, ndërsa janë ngritur akuza për ndërhyrje në drejtësi.
Në një denoncim të mbërritur në redaksinë e Boldnews.al, thuhet se Ermal Koko është dërguar në gjykatë me makinë policie, nga kushëriri i tij efektiv, Amarildo Hitaj, ku siç pretendohet ky i fundit ka ndikuar që gjykata ti japë lirinë.
Seanca u drejtua nga gjyqtari Ervin Kore, i cili në fillim i dha fjalën prokurores së çështjes Nertila Miftaraj, e cila ka kërkuar që i arrestuari të hetohej nën masën arrest në burg.
Ndërkohë avokati i të pandehurit, Ben Pasho ka kërkuar masë më të lehtë dhe në fund gjyqtari ka dhënë masën e arrestit në shtëpi, duke lënë të lirë nga salla e gjyqit pronarin e kompleksit.














