Rrjete të trafikimit të emigrantëve po reklamojnë në rrjetet sociale një rrugë të paligjshme hyrjeje në Mbretërinë e Bashkuar përmes Dublinit, duke premtuar kalim të sigurt dhe të garantuar drejt Anglisë, raportojnë mediat britanike.
Sipas një investigimi të gazetës britanike The Telegraph, trafikantët shfrytëzojnë mungesën e kontrolleve të pasaportave në kufirin mes Republikës së Irlandës dhe Irlandës së Veriut.
Në postime të publikuara në TikTok dhe platforma të tjera, ata ofrojnë udhëtime me avion drejt Dublinit dhe më pas kalimin drejt Britanisë, kundrejt pagesave që arrijnë deri në 7 mijë paund.
Çështja ka marrë vëmendje të shtuar pas sulmit me thikë të ndodhur në Belfast, ku një shtetas sudanez, i identifikuar si Hadi Alodid, akuzohet për tentativë vrasjeje ndaj një 44-vjeçari. Sipas autoriteteve, ai dyshohet se kishte mbërritur fillimisht në Dublin nga Franca dhe më pas kishte udhëtuar drejt Belfastit.
Ngjarja ka shkaktuar tensione dhe protesta në Irlandën e Veriut, ku janë regjistruar sulme ndaj banesave, automjeteve dhe bizneseve të emigrantëve. Familje të tëra janë evakuuar nga policia për arsye sigurie.
Në reagim ndaj situatës, qeveria britanike njoftoi forcimin e operacioneve kundër emigracionit të paligjshëm dhe trafikimit të qenieve njerëzore. Ministria e Brendshme deklaroi se do të intensifikojë kontrollet dhe arrestimet ndaj personave që shfrytëzojnë boshllëqet ligjore të lëvizjes mes Irlandës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit të fundit janë arrestuar mbi 900 emigrantë që dyshohet se kanë përdorur këtë rrugë hyrjeje, mes tyre shtetas rumunë, shqiptarë dhe afganë.
Autoritetet britanike po shqyrtojnë gjithashtu masa të reja për të detyruar platformat sociale të heqin më shpejt përmbajtjet që promovojnë trafikimin e emigrantëve ose nxisin trazira publike.














