Një 19-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë së Lushnjës, pasi dyshohet se ka plagosur me thikë një 26-vjeçar pas një konflikti për motive të dobëta.
Sipas njoftimit të policisë, shtetasi D. H., 19 vjeç, banues në fshatin Stan Karbunarë, pas një konflikti të çastit ka plagosur me thikë të riun E. Ç., 26 vjeç, i cili aktualisht ndodhet në spital.
Sipas policisë, nga hetimet paraprake rezulton se konflikti mes dy të rinjve ka nisur për motive të dobëta dhe ka degraduar deri në përdorimin e mjetit prerës.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e autorit të arrestuar, policia ka zbuluar dhe sekuestruar 48 160 euro dhe 7 200 dollarë amerikanë, të cilat dyshohen se janë të falsifikuara dhe se synohej të hidheshin në qarkullim.
Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve kundër Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier arrestuan 19-vjeçarin për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Falsifikimi i monedhave”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, e cila po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.














