Teksa Kosova zhvillon zgjedhjet e parakohshme parlamentare këtë të diel, ish-presidentja Vjosa Osmani ka paralajmëruar se rezultati i tyre mund të përcaktojë nëse Prishtina do të vazhdojë rrugën drejt anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropian.
Në një intervistë për POLITICO, Osmani ka vënë në shënjestër kryeministrin aktual Albin Kurti, duke deklaruar se rizgjedhja e tij mund të rrezikojë drejtimin strategjik të vendit.
“E ardhmja e Kosovës nuk mund të mbahet peng i egos politike,” u shpreh ajo, duke akuzuar Kurtin se ka larguar aleatët evropianë dhe amerikanë. Sipas saj, qytetarët duhet të zgjedhin një udhëheqës që merr “vendimet e duhura që na ankorojnë në mënyrë të pakthyeshme në rrugën euroatlantike”.
Që nga shpallja e pavarësisë në mënyrë të njëanshme nga Serbia në vitin 2008, Kosova ka hasur vështirësi në konsolidimin e pozitës së saj ndërkombëtare.
Ndërsa SHBA dhe shumica e vendeve të G7 e njohin sovranitetin e saj, disa shtete të BE-së si Greqia, Spanja, Rumania dhe Sllovakia nuk e kanë bërë këtë, duke e komplikuar synimin e Prishtinës për anëtarësim në NATO dhe BE.
Sipas Osmanit, Kurti, lider i partisë populiste të majtë Vetëvendosje, e ka përkeqësuar situatën. Ai u rizgjodh në vitin 2021 me premtimin për reforma të thella dhe integrim euroatlantik, por gjatë mandatit marrëdhëniet me Brukselin dhe Uashingtonin kanë qenë shpesh të tensionuara.
Pas vendosjes së kryetarëve shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të vendit në vitin 2023, zyrtarë perëndimorë akuzuan qeverinë për nxitje të tensioneve etnike.
Në vend që të avancoheshin bisedimet për anëtarësim në BE, pas aplikimit zyrtar të Kosovës në vitin 2022, Brukseli vendosi sanksione ndaj Kosovës për shkak të dështimit për të ulur tensionet në komunat e prekura nga përplasjet e dhunshme.
Këto masa, që përfshinin edhe pezullimin e ndihmës ekonomike të BE-së, u hoqën vetëm pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale vitin e kaluar.
Marrëdhëniet e Kurtit me SHBA kanë qenë gjithashtu të vështira. Në vitin 2020, ai akuzoi administratën e presidentit amerikan Donald Trump se kishte tentuar të rrëzonte qeverinë e tij për të arritur një marrëveshje shkëmbimi territoresh me Serbinë. Më vonë, megjithatë, ai ka mbajtur një qasje më pajtuese, duke mbështetur publikisht disa qëndrime të SHBA-së në arenën ndërkombëtare.
Osmani thotë se vendimet dhe deklaratat e Kurtit kanë dëmtuar pozitën ndërkombëtare të Kosovës. “Ai duhej të ndërtonte besim, por ka bërë të kundërtën,” tha ajo.
Osmani ka edhe arsye politike personale për kundërshtimin e Kurtit. Sipas saj, kryeministri nuk e mbështeti kandidaturën e saj për rizgjedhje në presidencë, duke përkrahur kandidatët e partisë së tij. Dështimi për të zgjedhur presidentin çoi në krizën institucionale që përfundimisht solli zgjedhjet e parakohshme të së dielës.
Zgjedhjet parlamentare, të tretat brenda pak më shumë se një viti, pritet të mos zgjidhin plotësisht krizën politike në vend. Megjithëse sondazhe të besueshme mungojnë, analistët mendojnë se Vetëvendosja mund të mbetet sërish partia me më shumë mandate, duke i hapur rrugë Kurtit për të vazhduar si kryeministër.
Megjithatë, mbetet e paqartë se kush do të bëhet president, pasi asnjë parti nuk pritet të sigurojë shumicën e dy të tretave të nevojshme në Kuvend për zgjedhjen e kreut të shtetit, çka nënkupton negociata të ndërlikuara politike.
Osmani kandidon për deputete në këto zgjedhje, por synon të rikthehet në postin e presidentes, një rol që i jep kompetenca të rëndësishme si kthimi i ligjeve për rishqyrtim dhe emërimi i figurave kyçe në drejtësi dhe administratë.
E pavarur politikisht dhe ish-anëtare e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ajo e akuzon Kurtin se po përpiqet të përqendrojë pushtetin duke dobësuar institucionin e presidencës.
“Ai dëshiron të kontrollojë të gjitha institucionet në tërësi,” tha ajo, duke përmendur përpjekjet për të vendosur “një president që hesht jashtë vendit dhe është i kufizuar brenda tij”.
Osmani shtoi gjithashtu se, pas viteve të negociatave të ndërmjetësuara nga BE pa rezultate të mëdha, Shtetet e Bashkuara duhet të marrin rol më aktiv në dialogun me Serbinë.
“Sa herë që SHBA ka qenë e përfshirë, dialogu ka qenë më i suksesshëm. Sa herë që nuk e kemi pasur vëmendjen e SHBA-së, dialogu ka ngecur dhe është devijuar,” u shpreh ajo.
Duke theksuar marrëdhënien e tensionuar të Kurtit me Uashingtonin, Osmani, një nga lideret e pakta botërore që ka pranuar të jetë pjesë e iniciativës së diskutueshme “Board of Peace” të Trump, e sheh të ardhmen e Kosovës të lidhur ngushtë me aleancën me SHBA-në.
“Dua që Kosova të mos kërkojë më leje për të ekzistuar,” tha ajo. “Por të fillojë të veprojë me vetëbesimin e një shteti sovran.”














