Problematika e radhës e transmetuar, këtë të hënë, më 1 qershor lidhet me qytetaren Afërdita Bejleri, e cila tregon, se ka blerë një apartament në vitin 2008 me kontratë shitblerjeje, por prej vitesh nuk arrin ta certifikojë pronën.
Sipas Kadastrës, asaj i duhet certifikata familjare e ish-pronarëve për vitin 2006. Njërin prej bashkëpronarëve ka arritur ta gjejë, ndërsa tjetrin jo, pasi ndodhet në burgim të përjetshëm dhe nuk ka pasur asnjë kontakt me të.
“Më kërkuan certifikatat e bashkëpronarëve që e kanë shitur apartamentin. Të një personi, unë e gjeta dhe ma dha certifikatën, ndërsa të personit tjetër unë nuk mundem ta gjej. Është goxha e vështirë për ta gjetur dhe nuk gjej rrugën për ta gjetur atë sepse ai ndodhet në burgim të përjetshëm. Atëherë i bie ai është në burgim të përjetshëm dhe unë jam në një problem të përjetshëm pastaj. Kërkoj ndihmën tuaj, ju lutem më ndihmoni”, u shpreh me shqetësim qytetarja.
Nga verifikimet rezultoi, se apartamenti ka kaluar me procedurë legalizimi, pasi pallati ishte braktisur.
Juristi i Kadastrës, Mariglen Loca, shpjegon, se certifikata familjare është dokument i domosdoshëm, për të vërtetuar gjendjen civile të shitësit në momentin e shitjes së apartamentit dhe pa të, procedura nuk mund të vazhdojë.
“Kjo është një procedurë shumë e rëndësishme pasi duhet të vërtetohet regjimi pasuror martesor dhe nuk mund të shmanget në asnjë lloj mënyre”, pohoi Loca.
Pas ndërhyrjes së emisionit “Stop”, u kontaktua Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe u gjet një zgjidhje:
Qytetarja do të pajiset me autorizim, për të takuar ish-pronarin në burg, me qëllim hapjen e një llogarie në e-Albania dhe sigurimin e certifikatës familjare të nevojshme për certifikimin e apartamentit.
/Emisioni STOP














