Protesta e aktivistëve të shoqërisë civile dhe banorëve të zonës së Zvërnecit dhe Nartës kundër ndërtimeve turistike në bregdet është shoqëruar me tensione dhe incidente.
Gjatë tubimit, protestuesit kundërshtuan punimet që po zhvillohen në zonë, ndërsa kantieri ishte i rrethuar nga forca të shumta policie dhe roje private. Situata u tensionua kur disa prej protestuesve tentuan të hiqnin barrierat rrethuese të kantierit.
Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale shihet një qytetar që tërhiqet zvarrë nga dy persona të maskuar brenda perimetrit të rrethuar. Sipas dëshmitarëve, ndërhyrja është kryer nga roje private të kompanisë që po realizon ndërtimet në Nartë, ndërsa efektivët e policisë kanë qëndruar në hyrje të zonës pa ndërhyrë.
I pranishëm në protestë ishte edhe kryetari i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, i cili kritikoi qëndrimin e Policisë së Shtetit, duke e cilësuar të papranueshme mosndërhyrjen e saj gjatë incidentit.
Aktivistët kërkojnë ndërprerjen e punimeve dhe mbrojtjen e zonës së Zvërnecit dhe Nartës, të cilën e konsiderojnë një nga hapësirat më të rëndësishme natyrore të vendit.














