Rasti i transmetuar mbrëmjen e sotme, më 28 maj ka ndodhur në Fier dhe lidhet me qytetarin Agim Lala, i cili prej më shumë se dy dekadash endet nëpër dyert e institucioneve për të legalizuar ndërtesën e tij 5-katëshe, të ndërtuar që në vitin 1999.
Në vitin 2006 ai bëri vetëdeklarimin, duke ndjekur të gjitha procedurat e kërkuara, por që prej vitit 2008 e deri më sot, përgjigjet kanë qenë të njëjta: premtime për matje dhe pagesa, pa asnjë përfundim.
Në vitin 2017 iu komunikua, se procedura e legalizimit ishte drejt përfundimit. Por pas kësaj, gjithçka u bllokua sërish.
Në komunikimet e fundit me Kadastrën, në vitin 2024, Agimi mori një tjetër përgjigje zhgënjyese. Matjet e fundit ishin bërë në vitin 2018 dhe tashmë konsideroheshin të pavlefshme, duke kërkuar nisjen e procesit nga e para.
Që prej asaj kohe, nuk ka marrë më asnjë përgjigje. I moshuar dhe i lodhur nga pritja, Agimi shprehet, se nuk e di sa kohë do t’i duhet ende për të legalizuar pronën, që dëshiron t’ua lërë trashëgim fëmijëve të tij.
Pas interesimit pranë Kadastrës së Fierit, drejtori pranoi, se ekziston dyshimi, se ndërtesa mund të prekë rrugën ose trotuarin. Sipas tij, janë kryer disa matje ndër vite, por për shkak të hartave të vjetra dhe të paazhornuara, nevojiten verifikime të reja, për të arritur në një përfundim të saktë.
Situata 1: “Stop” i’u drejtua drejtorisë së Kadastrës Fier.
Gazetarja: Që para dy orësh duhet të pyeste, për cfarë rasti bëhet fjalë! Bëhet fjalë për një legalizim. Agim Lala! Që nga 2024 nuk ka më përgjigje.
Punonjësja: Në rregull!
Punonjësja: Po bëj verifikimet dhe do t’ju njoftoj.
Roja: Ka punë dosja. Do shqyrtohet, do analizohet
Gazetarja: Po nuk do zbresë ajo, të më kthejë mua një përgjigje?
Roja: Tani për tani, jo!
Roja: Bëni kërkesë me shkrim
(Tentojmë të hyjmë)
Gazetarja: Hape, se jam qytetare! Dua të hyj!
Gazetarja: Jam qytetare, o zotëri!
Roja: Do ikësh?
Gazetarja: Jo, nuk iki.
Situata 2: “Stop” takoi drejtorin
Drejtori: Tani, unë realisht nuk pres shumë njerëz. Vetë zyra, si funksionon, me sa ngarkesë ka, e di, që mund të duket…
Drejtori: E mora vesh problemin. Iu thashë ta nxjerrin dosjen, e nxorrën. Dosja nuk ishte aq e lehtë, për tu trajtuar dhe prandaj thashë “shiko, se sot s’të them dot” dhe vërtet s’të them dot.
Drejtori: Realisht nuk e kuptoj as unë mirë, se ka një rrugë, një trotuar afër dhe duhet të jem i sigurtë.
Drejtori: Ka qenë gjithmonë dyshimi, që mund të prekë rrugën dhe për këtë ka ngelur, që i kanë bërë dhe shumë herë matje, që të jemi të sigurtë dhe hartat tona janë pak të vjetra, nuk janë të azhornuara fiks me të renë dhe duhet të jemi të sigurtë. /tvklan.al














