Kryeministri i Kosovë dhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka vijuar fushatën elektorale me takime nga afër me qytetarët në Prishtinë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kurti bëri të ditur se pas prezantimit të programit qeverisës për katërvjeçarin e ardhshëm, ai dhe ekipi i tij kanë zhvilluar takime shtëpi më shtëpi për të shpalosur vizionin e tyre qeverisës.
Sipas Kurtit, gjatë takimit me banorët e Siqevës në Prishtinë janë diskutuar problemet kryesore të zonës, veçanërisht mungesa e kanalizimit, por edhe çështje që lidhen me zhvillimin e shtetit.
Ai theksoi se programi i Vetëvendosjes parashikon investime në mbrojtje dhe siguri, forcimin e ushtrisë, krijimin e xhandarmërisë, si dhe mbështetje sociale për nënat dhe fëmijët.
Kurti foli gjithashtu për rritjen e mbështetjes ndaj prodhimtarisë dhe bujqësisë vendore, duke theksuar rëndësinë e forcimit të kapaciteteve prodhuese të Kosovës.
“Po punojmë fort për një shtet zhvillimor, prosperues e progresist, që nuk e lë askënd mbrapa”, shkroi Kurti, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që më 7 qershor të votojnë numrin 116, Lëvizjen Vetëvendosje.














